Tiranë, 01 gusht 2014 – Kuvendi i Shqipërisë, në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, ka miratuar pasditen e së enjtes projektligjin për reformën administrativo-territoriale. Gjatë debatit për Himarën, kryeministri Rama iu drejtua kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke i thënë se Himara është tokë shqiptare dhe si e tillë do të trajtohet, si çdo zonë tjetër e vendit. “Himara është njësoj si Tropoja, Kavaja apo çdo zonë tjetër e Shqipërisë. Fakti që atje jeton një minoritet grek, është tregues që ai duhet të integrohet. Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare. Banorët e Himarës, Dhërmiut dhe Palasës janë labë dhe flasin shqip”, i ka thënë Rama deputetit që i përket minoritetit grek, Vangjel Dules.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Dules, i cili tha se miratimi i reformës territoriale, cenon të drejtat e minoritetit grek në Himarë. “Në Himarë ekzistojnë pjesëtarë të minoritetit grek. Nga sa u tha, duket qartë tendencioziteti. Shkelen të drejtat e komuniteteve minoritarë, të parashikuara në Konventën Kuadër”, tha Dule, duke e shfaqur për herë të parë kërkesën për referendum tek banorët e Himarës. Madje, ai i drejtoi edhe një mesazh kryeministrit Rama, duke cituar një thënie filozofike. “Krenarë meritojnë të jenë, jo ata që miratojnë ligje, por ata që i bëjnë të tjerët pjesë të jetës institucionale të një vendi”, ka thënë Dule.
Në reagimin e tij, Rama e mohoi çdo synim që, nëpërmjet reformës, t’iu mohohen të drejtat minoriteteve. Shefi i qeverisë ia përkujtoi Dules që, deri në këto momente, ai rezulton aleat i koalicionit qeverisës. “Vangjel, kam vlerësuar inteligjencën tënde, por ti mos e fyej timen. Nuk ka asnjë përpjekje për t’i kufizuar liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Himarë. Ne e kemi njohur praninë e tij dhe do ta respektojmë gjithmonë”, iu përgjigj Rama, duke shtuar se tema e Himarës është e ndjeshme sepse “e kanë bërë të tillë përpjekjet 23-vjeçare të shumëkujt që ka dashur ta shohë Himarën, ashtu siç ajo nuk është”.