Dritën apo errësirën – Zgjedhja është e jotja!

Dritën apo errësirën – Zgjedhja është e jotja!

Nga: Blendiana SELA


• Errësira, jo gjithmonë tregon se duhet pushuar, sepse ëndërrat gjithmonë realizohen në errësirë! Po pra, disa në errësirë flejnë dhe ëndërrojnë e disa të tjerë në errësirë zgjuar qëndrojnë, që ato ëndërra t’i realizojnë.
Errësira fsheh të gjitha preukupimet e një njeriu ambicioz. Errësira fsheh dhimbjet, dështimet, tentimet për diçka, vuajtjet… Mirëpo, të gjitha këto njeriu i bën për të nxjerrë në dritë suksesin.
Njerëzit dallojnë me detaje, e detajet janë ato që e bëjnë një njeri të ketë një trajtim të veçantë. Sa për ilustrim, ka kuzhinierë të mirë që bëjnë përgaditje të përkryer të ushqimeve, mirëpo, po i hodhi diçka prej mëlmesave më shumë seç duhet. ia humb shijen. Ka edhe ndërtues të mirë të shtëpive, që çdo ndërtim e bëjnë cilësorë mirëpo, nëse gabojnë në disa nijansa, i humbet bukuria e ndërtesës dhe vlerësohet dobët.
Detajet, detajet janë ato që e dallojnë profesionalistin. Detajet janë ato që qetësia e natës, errësira e qiellit, ndriçimi i dhomës dhe i yjeve e bëjnë që një njeri me qëllime të qarta për jetën të mos dorëzohet kurrë dhe të arrijë suksese në qëllimet e veta!
Ndonjëherë duhet sakrifikuar diçka, për të arritur diçka tjetër në jetë. Nuk mund t’i kesh të gjitha përnjëherë. Të sakrifikosh gjumin për të arritur suksesin është më e pakta që mund t’a bësh gjatë përpjekjes tënde. Suksesi kërkon angazhim, kërkon përkushtim të plotë e të sinqertë… Por, suksesi nuk arrihet pa sfida, sepse gjatë rrugëtimit mund të rrëzohesh ndonjëherë, të lëndohesh, mirëpo e rëndësishme është që gjithmonë të ngrihesh sërish, madje edhe më i fortë. Mos u zbraps nëse merr ndonjë plagë në këtë rrugëtim por nxirr nga ajo një mësim, sepse plaga shërohet ndërsa suksesi mbetet.
Drita e ndezur në dhomën e një njeriu që i ka vendosur vetes qëllime të qarta në jetë, është drita e realizimit të synimeve. Ajo dritë e vetmisë së natës, do të shndërrohet në ndriçim para turmave.
Gjendja e çdo personi që synon të arrijë diku, nuk do të jetë gjithmonë e tillë, por duhet kuptuar se çdo ditë i afrohesh më shumë realizimit të ëndrrës dhe, nganjëherë duhet t’i japësh vetes shpresë me fjalët: “Edhe pak ka mbetur”, “Nuk do të jetë gjithmonë kështu”, etj.
Gjumi ndjellë gjumin, në gjumë humbet kontakti me botën reale. Në gjumë je i vdekur e pas gjumit, në rastin më të mirë, zgjohesh! Sepse, sa e sa njerëz fjetën dhe nuk u zgjuan më! Qëndrimi pa gjumë dhe përpjekjet kërkojnë durim, e durimi durimin sjellë, sepse Ai që na krijoi ne, e krijoi edhe durimin. Prandaj, nëse na është dhënë durimi, përpjekja, vullneti… atëherë nuk ka gjë të parealizushme.
Drita e vetme e ndezur, nuk dëshmon që ti je ndryshe. Jo, assesi, ajo dëshmon që ti do të bëhesh ndryshe, ajo nuk të jep përparësi mbi të tjerët. Jo, ajo dëshmon që ti do të bëhesh modest në të ardhmen. Eh, drita e vetme e ndezur në dhomën e një studenti tregon se sa i zhvilluar është shteti, me një dritë të ndezur në një ndërtesë shumëkatëshe. Dëshmon se ajo do të rrënohet së shpejti!
Ne kemi nevojë për shumë drita, për shumë studiues, për më pak ëndërrimtarë dhe më shumë realistë, më pak qëndrim në shtrat dhe më shumë në karrige. Ne kemi nevojë për dashuri, dashuri të sinqertë ndaj librit. Ne jemi të pathyeshëm, thjeshtë na duhet kurajë, durim dhe… Ja, arritëm tek caku!
E dije që, të jetosh në këtë botë, është prej gjërave të rralla, pasi shumica e njerëzve, thjeshtë ekzistojnë. Mos e lejo veten që vetëm të ekzistosh, ti je njeri dhe shoqëria pret më shumë nga ti!

(Autorja është studente në Kolegjin UBT, dega Infermieri, si dhe studente në Universitetin e Prizrenit, Shkencat Kompjuterike. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)

Radio Sharri