Dragash, 27 mars 2020 – Kuvendi i Komunës së Dragashit, në mbledhjen e sotme urgjente, njëzëri e ka votuar propozimin për ndarjen e shumës prej 120 mijë euro, për t’i plotësuar nevojat që dalin në këtë situatë emergjente për parandalimin e virusit COVID-19.
Kryetari i Komunës, Shaban Shabani, që në fillim të fjalimit të tij i ka falënderuar kuvendarët për bashkëpunim, spektrin politik, shtabin emergjent, stafin shëndetësor, zyrtarët policor, zjarrfikësit, punonjësit e kompanive regjionale, Bashkësinë Islame, Kryqin e Kuq, komunitetin e biznesit, UNICEF-in, Njësinë e KEDS-it në Dragash, si dhe mediat e kompanitë e ndryshme që vullnetarisht kanë ndihmuar në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, kuvendarët e kanë mbështetur kryetarin Shabani për menaxhimin e kësaj situate në komunën e Dragashit, duke dhënë edhe rekomandime si se të veprohet më tej, në mënyrë që e gjithë kjo situatë të menaxhohet sa më mirë.
Duke e mbështetur propozimin për ndarjen e kësaj shume financiare, disa nga kuvendarët kanë shprehur brengën e tyre për mërgimtarët e shumtë që kanë ardhur nga vendet e prekura me këtë virus, duke kërkuar që organet kompetente të fokusohen më shumë tek kjo shtresë e popullatës. Ndërkohë, nga qytetarët, këshilltarët e kuvendit kërkuan që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) dhe të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë kjo situatë.
Dragashi ndan 120 mijë euro për parandalimin e virusit COVID-19
POSTIMI PARAPRAKLereni të shuhet në heshtje vrasësi i padukshëm!
POSTIMI I RADHËSGrenell, Kosnet, Palmer: “Ju sigurojmë se s’ka plan sekret”