Dragash: PDK-ja propozon tre kandidatë, LDK-ja vetëm dy!

dragashi qendra komunaDragash, 12 maj 2014 – Gjatë pushimit të fundjavës, degët e dy partive dominuese në Dragash i kanë zyrtarizuar propozimet e tyre për emrat e kandidatëve që do të garojnë nga kjo komunë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Të shtunën, dega e PDK-së i propozoi kryesisë qendrore Bedri Halimin, Defrim Rifajn dhe Emin Kollonin. Ndërkaq, dega e LDK-së ka propozuar Selim Kryeziun dhe Durak Salihun. Këto propozime, tashmë presin miratimin nga kryesitë qendrore të partive, për tu zyrtarizuar si të tillë.
Këto nominime janë konfirmuar për Radio SHARRI-n, nga zyrtarët e partive përkatëse, të cilët janë angazhuar ditëve të fundit për tu marrë me media. “Në mbledhjen e kryesisë së degës së PDK-së në Dragash, kemi vendosur njëzëri që t’i propozojmë për kandidatë të mundshëm, Bedri Halimin, Dëfrim Rifajn dhe Emin Kollonin. Tashmë presim konfirmimin nga qendra, e cila është duke përpiluar listën e kandidatëve të PDK-së”, tha për Radio SHARRI-n, njëri nga zyrtarët e degës së PDK-së në Dragash. Ndërkaq, konfirmimin për propozimet e LDK-së, e ka bërë për radion tonë, njëri nga kandidatët e nominuar, duke thënë se kjo nuk do të thotë që ata do të jenë kandidatë, përderisa propozimi nuk shqyrtohet nga kryesia qendrore e partisë.