Bastisje në Zaplluxhe – Konfiskohen armë zjarri!

Bastisje në Zaplluxhe – Konfiskohen armë zjarri!

Dragash, 04 nëntor 2022 – Policia ka njoftuar sot për një bastisje që kishte kryer të enjten, rreth mesditës, në fshatin Zaplluxhe të Dragashit, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa armë zjarri.
“Të enjten, në fshatin Zaplluxhe, Sektori i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Dragash, me iniciativën e hetuesve ka zbatuar urdhër kontrollin, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata themelore në Prizren. Në bazë të urdhëresës është kryer kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të një mashkulli 49-vjeçar, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar pesë armë dhe një sasi e madhe e municionit, si dhe disa pajisje shtesë. Saktësisht, një revole TT, me dy karikatorë, 44 copë fishekë të kalibrit 7.62 milimetër, një revole e vjetër pa çark dhe pa numër, 71copë fishekë të kalibrit 7.62 milimetër, një pushkë gjuetie dhe dy këllëf për mbajtjen e fishekëve të armës së gjuetisë, 60 copë fishekë të armës së gjuetisë, të kalibrit 12 milimetër, 5 gëzhoja të armës së gjuetisë, një pushkë automatike pa karikator, një pushkë ajrore pa municion, një shkop druri, i cili përdoret për vendosjen e armës së gjuetisë, një thikë me këllëf dhe një brisk. I dyshuari është shoqëruar në Stacionin e Policisë në Dragash, ku është intervistuar nën prezencën e avokatit mbrojtës. Kundër të dyshuarit është hapur rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armës. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është ndaluar në polici për 48 orë”, thuhet në komunikatë.