Arrestohen në Prizren shantazhuesit e femrave – Ngarkohen penalisht!


arrestimi policia shantazhiPrizren, 19 qershor 2014 – Dy femra nga Prizreni, në dy raste të ndara, kanë paraqitur në polici raste të shantazhit, përmes incizimit dhe fotografive.
Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë rajonale në Prizren, ka njoftuar se rasti i parë është paraqitur të mërkurën nga një femër, e cila i është ankuar policisë se një i dyshuar i kishte shkruar mesazhe në telefon, me të cilat i bënte shantazh se, nëse ajo nuk pranon që të ketë lidhje dashurie me te, ai do t’i publikonte disa incizime të saja komprometuese. “Viktima ka kërkuar ndihmën e policisë dhe, pas hetimeve fillestare, është gjetur i dyshuari i cili, gjatë intervistës, i ka thënë policisë se nuk posedon kurrfarë incizimi por kishte për qellim vetëm të sigurojë favore seksuale”, ka thënë Berisha, duke shtuar se për këtë rast është informuar prokurori, i cili ka sugjeruar që i dyshuari të ndiqet penalisht, sipas procedurës së rregullt.
Ndërkaq, sipas zëdhënësit Berisha, rasti i dytë ka të bëjë me një mashkull, i cili pa lejen e ish-të fejuarës së tij, ka postuar në “Facebook” fotografi komprometuese, me qellim dëmtimin e nderit dhe autoritetit të saj. “Pasi është informuar prokurori i shtetit, është vendosur që i dyshuari të arrestohet dhe të ndalohet në mbajtje për 48 orë, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka konsumuar elemente të veprës penale”, ka thënë Berisha.