Një kafe më pak… Për Shqipërinë tonë!

Një kafe më pak… Për Shqipërinë tonë!

Nga: Silvana BEGAJ


• Netët janë të gjata e dimri ka filluar ta mbulojë vendin me temperatura, gjithnjë e më të ftohta. Qielli, nuk e ka më ndriçimin e zakonshëm. Mendimet, tani të gjithë i kemi përqendruar në një pikë! Pika e takimit të rrathëve të meridianëve dhe paraleleve shqiptare nga e mbarë bota, takohen në një pikë. Në një vend. Në Shqipëri!
Fëmijë të pashpresë, të moshuar, nëna që me trupat e tyre i mbulojnë fëmijët nga i ftohti! Trishtuese! E rëndë. Është gjaku ynë!
Përderisa shumë nga ne po përgatitemi për festat e fundvitit, a mund të ndalemi për një sekondë dhe ta pyesim veten: Athua si ndjehen fëmijët në Shqipëri? Si ndjehen, kur shikojnë një atmosferë festive, ku supozohet që babadimri do t’ua plotësojë dëshirat? Shumë nga ta, në vend të bredhave, kanë tendat e në vend të dritave të bredhit kanë yjet e qiellit!
Askush, asnjë fëmijë, asnjë nënë, asnjë i moshuar, asnjë njeri në tokë nuk e meriton vuajtjen. Por, vuajtja e popullit tonë na dhemb më shumë! Shteti, qeveria dhe institucionet shqiptare, kanë mundësi të kufizuara buxhetore. Korrupsioni dhe keqpërdorimet i zvogëlojnë edhe më shumë mundësitë për rindërtim, për ta kthyer, sadopak, normalitetin në zonat e goditura nga tërmeti. Dikush bën llogaritë e fitimeve, por populli po shikon dorën e shtetit dhe të gjithë ne, sepse ka nevojë për ndihmë. Sot!
Kjo fatkeqësi ka treguar edhe njëherë fuqishëm shpirtin e bardhë të kombit tonë, gjithashtu ka treguar se sa shumë miq kemi në botë. Por, a mjaftojnë?
Miliona euro po dhurohen nga njerëzit e mirë, fonde të udhëhequra nga njerëz me shpirtin human, si Elvis Naçi, Halil Kastrati, Marin Mema e të tjerë, të cilët po e bëjnë të pamundurën për ta zbutur dhembjen. Të famshmet botërore me gjak shqiptar, si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, Eliza Dushku e të tjera, tashmë e kanë kaluar edhe njëherë provën e lidhjes së tyre me tokën e prindërve! Shqiptarët e Amerikës na i sollën në mendje edhe njëherë vargjet e famshme të Nolit “Mbahu nëno, mos ke frikë, se ke djem në Amerikë”!
Kosova, Kosova me plagët e saja ende të hapura, po ndanë edhe bukën e gojës për të prekurit nga ky tërmet i kobshëm. Shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi janë bashkuar më shumë se kurrë!
Çdo natë shohim shqiptarë, anë e mbanë botës, që këto ditë i kanë harruar hallet e tyre personale, dhembjet, sëmundjet dhe po i ndihmojnë vëllezërit e motrat e tyre në Shqipëri!
Sot, me ne janë bashkuar edhe shumë popuj të tjerë, duke treguar respektin, dhembjen dhe përkrahjen për popullin më të vjetër në Evropë. Për bijtë e Pellazgëve e Ilirëve të lashtësisë! Por, a mjafton?
Një LEK, një Dollarë, një pako cigare më pak në ditë, një kafe më pak, një dritë në bredhat e festës më pak, një… Shumë gjëra që në një ditë asnjërit nga ne nuk i prishin punë, do të thotë shumë për Durrësin, Thumanën, Lezhën… Thotë shumë për Shqipërinë!
Në këtë këto festa të fundvitit, Shqipëria është e para! Gjithmonë e gjithnjë, Ajo, e bekuara tokë, është e para! Shqipëria na thërret! Këto ditë të zgjedhim njërin nga fondet e Elvisit apo Marinit, të qeverisë apo… Secili nga ne, shpenzimet e një pakoje cigaresh, të një kafeje, të një drite festash, t’i dërgojmë aty! Në Shqipërinë tonë që po lëngon! Një pako cigare, një kafe me pak… Një dritë, një shpresë më shumë për fëmijët e Shqipërisë!

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)