Selmanaj: Në Gorë të Dragashit vepron Serbia! (Video)

Selmanaj: Në Gorë të Dragashit vepron Serbia! (Video)

Dragash, 16 maj 2019 – Deputeti nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Driton Selmanaj, në paraqitjen e tij para deputetëve sot ka përcjellë shqetësimin e tij për gjendjen në krahinën e Gorës së Dragashit. “Në një pjesë të Dragashit, shteti i Kosovës pothuajse nuk ekziston. Janë 16 fshatra të Gorës që nuk kanë lidhje me Republikën e Kosovës, korrikulat janë të Serbisë, pagat i marrin edhe nga Kosova por edhe nga shteti i Serbisë. Mjeku, në njërin xhep e ka vulën e Kosovës, në tjetrin të Serbisë, varësisht prej pacientit”, tha mes tjerash Selmanaj, sipas të cilit në këtë trevë ka edhe persona që mbajnë armë të gjata. “Rojet e pyllit atje sillen edhe me armë të gjata, që janë të ngjashëm me rojat e urës që, deri vonë, i kemi pasur edhe në Mitrovicë. Si është e mundur të mos kemi qasje as në jug?. Kjo nuk mund të bëhet pa mbështetjen e liderëve të Prishtinës. Është koha e fundit, kur duhet të shtrihet autoriteti edhe atje”, theksoi deputeti Selmanaj.
Kujtojmë se, paraqitjes së sotme të Selmanajt para deputetëve, i ka paraprirë debati që ai ka zhvilluar me qytetarët e Dragashit ditë më parë, nga ku ka kuptuar se në një pjesë të madhe të trevës së Gorës, shtrihet edhe autoriteti i Serbisë, përfshirë edhe komunën paralele, me seli në fshatin Vraniç.
Pas debatit në Kuvend, Selmanaj i ka thënë redaksisë sonë se nga vizita e tij në Dragash kishte mësuar shumëçka që nuk kishte ditur më parë. “Po të mos e zhvilloja debatin me banorët e kësaj komune, nuk do ta kisha imagjinuar se shteti serb ka ingerenca edhe në këtë skaj të vendit, si në aspektin e pushtetit paralel, ashtu edhe në fushat sociale. Por, është mirë që e kuptova këtë dukuri dhe nuk do të rresht se kërkuari që kjo tolerancë të ndërpritet”, tha Selmanaj për Radio Sharrin.