Nga: Beqir BEQAJ
• Gjatë vitit që lam pas, ne kemi pasur lëvdata, sugjerime, këshilla por edhe kritika. Pa dallim, që të gjitha i kemi marrë parasysh dhe i kemi analizuar me seriozitetin më të madh. Ato që nuk bënin pjesë në këto kategori, por që thjeshtë kanë qenë tallje, mahi, besa edhe kërcënime e fyerje, ia kemi lënën në dorë dikujt tjetër që është më i fuqishëm se ne, duke u lutur për ata persona që të kthjellohen dhe t’i kthehen vetëdijes!
Ne jemi munduar me gjithë forcat dhe potencialin që kemi aktualisht, për të qenë sa më afër audiencës, duke iu sjellë njoftime dhe lajme me saktësi, pa u ndikuar nga presionet shumëdimensionale që, përmes lajmit, synonit të përcillnin tek audienca jonë propaganda të lloj-llojshme. Se sa ia kemi dalë të rezistojmë në këto trysni, përgjigjen mund ta jep më së miri dëgjuesi dhe lexuesi ynë, pasi vetëm ai e bën këtë pa kurrfarë interesi dhe qëllimi të keq!
Dëgjuesi, shikuesi dhe lexuesi ynë, mbetet besnik, pavarësisht të mirave dhe lëshimeve që mund të bëjmë gjatë punës sonë. Ajo që më së shumti na shqetëson është, kur disa kërkojnë nga ne që të veprojmë sipas preferencave të tyre. Njëherë na kritikojnë se përse nuk po raportojmë ku “dikush po e thyen këmbën” dhe pas ca kohësh, kur raportojmë për të njëjtin që “e ka thyer këmbën” na kërcënon duke kërkuar që atë raport ta fshijmë sepse është në pyetje imixhi i tij. Pikërisht për të tilla kërkesa, ne nuk i marrim parasysh kërkesat dhe ankesat e këtyre hipokritëve. Ne vazhdojmë të raportojmë, sa më drejtë dhe të paanshëm, pavarësisht se nuk arrijmë të raportojmë për çdo ngjarje. Prandaj, shpesh e lusim audiencën tonë që edhe ata të raportojnë tek ne për ndodhitë e çastit, kur ata janë në vendngjarje.
Sa i përket politikanëve dhe subjekteve të tyre, me mburrje mund të themi se dy partitë më të mëdha në Dragash, asnjëherë nuk na kanë vënë presion për të vepruar, por as nuk na kanë “çortuar” për ndonjë kritikë që kemi bërë ndaj tyre. Shkurt dhe troç, fjala është për PDK-në dhe LDK-në. Dhe, me që i potencuam këto dy subjekte, rendi e do që t’i falënderojmë për pjekurinë e tyre në raport me ne dhe me median në përgjithësi.
Nga politikanët tjerë, aty këtu apostrofohemi dhe kritikohemi nga disa përfaqësues të partive të vogla, të cilët ende nuk e kanë kuptuar se misioni ynë nuk është t’i përcjellim aktivitetet e tyre partiake, të cilat i zhvillojnë nëpër fshatra dhe oda. Gjithsesi, ne i përfshijmë në informacionet tona, kur aktiviteti i tyre përbën lajmin. Atyre që na kritikojnë tërthorazi, ua bëjmë me dije se në shtëpinë tonë informative i kanë dyert e hapura për çdo çështje që ka të bëjë me interesin publik, por assesi mos të mendojnë se ne jemi në shërbim të tyre. Nuk duhet t’i anashkalojmë miqt dhe të gjithë ata që na mbështetën gjatë vitit 2018, duke iu thënë se ne u jemi mirënjohës. Dhe, iu premtojmë se do të vazhdojmë të punojmë, pa e zbehur besimin e tyre ndaj nesh.
Gjatë vitit 2019, ne do të mundohemi t’i shtojmë informacionet, duke e verifikuar në çdo rast saktësinë e tyre. Kjo, sepse qëllimi ynë, nuk është të marrim sa më shumë “Like” përmes lajmeve me tituj sensacionalë e që në përmbajtje janë boshe. Qëllimi ynë është informimi i drejtë, i paanshëm dhe me saktësi. Ndonëse jemi të vetëdijshëm që secili informacion, për dikë tingëllon ëmbël dhe për dikë hidhur, ne do ta publikojmë. Sepse, ne nuk prodhojmë lajme por ne ju sjellim informacione mbi ngjarjet reale, ani pse shumë prej tyre mbahen të fshehura, edhe nga vet institucionet. Prandaj, për çdo ngjarje, ku ju jeni dëshmitarë, ju lusim që të na njoftoni, pasi ne nuk mund të jemi prezent gjithkund. Jeni ju, ata që konsiderohen si burim i parë i informacionit, të cilin ne e verifikojmë vërtetësinë, për tua sjellë më pas gjithë publikut, si njoftim me atë që ka ndodhur.
Duke ju dëshiruar shëndet, fat, lumturi dhe harmoni gjatë vitit që sapo kemi hyrë, ju ftojmë për më shumë vetëdije, atdhedashuri, respekt për këdo e sidomos për ata që mundohen të bëjnë vepra të mira. Larg xhelozisë. Përqafoni çdo veprim të mirë dhe, pse jo, protestoni për gjërat e këqija.
Ejani më në fund t’i bashkohemi idesë që, duke u nisur nga vetvetja, të veprojmë për gjithçka dhe jo të merremi më gjithkënd, duke harruar se veten po e lëmë pas dore. Të mësohemi më në fund që, për gjithçka që kërkojmë nga të tjerët, të fillojmë ta japim nga vetja. Të kuptojmë se, nuk është bota ajo që rrotullohet rreth nesh por jemi ne që rrotullohemi bashkë me botën. Kjo është jeta dhe, vetëm më punë mund ta bëjmë jetën më të mirë! GËZUAR!