Banorët e Dragashit ankohen për telashe me rrymën dhe borën!

Banorët e Dragashit ankohen për telashe me rrymën dhe borën!

Dragash, 25 dhjetor 2018 – Mëngjesi i sotëm ka zbardhur me një mori problemesh dhe vështirësish për banorët e komunës së Dragashit. Kjo sepse ka rënë rreth 5 centimetra borë dhe kjo ka mjaftuar që rrugët e kësaj komune të jenë të rrëshqitshme. Kësaj i është shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike, pa kurrfarë orari apo paralajmërimi.
Në anketën që ka zhvilluar redaksia jonë, shumica e të anketuarve janë shprehur të dëshpëruar me mënyrën se si po mirëmbahen rrugët, madje kanë dërguar foto dhe video, ku duken të papastruara rrugët e fshatrave të Dragashit. Për dallim nga vitet tjera, këtë dimër qeveria lokale nuk po merret me pastrimin e rrugëve por ka kontraktuar një kompani, e cila do të kujdeset për rrugët e fshatrave të kësaj komune. Por, banorët ankohen se, ndonëse pak borë ka rënë deri më tani, rrugët nuk po mirëmbahen si duhet.