Prishtinë, 30 shtator 2015 – Komisioni i Pavarur për Media (KPM) u takua sot me përfaqësuesit e mediave, të cilat nuk e kanë paguar tarifën për licencë vjetore për vitin 2015. Kryetari i KPM-së, Adnan Merovci, tha se janë mbi 48 operatorë audio-vizuelë që nuk e kanë kryer këtë pagesë, në mesin e tyre edhe RTK-ja. Merovci tha se ky takim ka për qëllim pajtueshmërinë me Rregulloren për nivelin dhe mënyrën e pagesës së tarifës për Licencë, konform Ligjit për KPM-në, në bazë të së cilit ligj të gjithë të licencuarit obligohen të paguajnë tarifën për licencë në baza vjetore. “Ju e dini se KPM është e obliguar të zbatoj ligjin, por ne kemi menduar që paraprakisht të diskutojmë me ju, para se të marrim masa si rregullator i juaji”, iu tha Merovci përfaqësuesve të medieve, duke i përmendur të gjitha ato media që nuk kanë paguar taksën vjetorë për licencë. Në mesin e medieve që nuk kanë paguar licencë, Merovci përmendi edhe Radiotelevizionin publik (RTK), për të cilin tha se KPM ka qasje më specifike, mu për arsye të statusit që ka RTK-ja.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mediave lokale u ankuan për problemet me të cilat ballafaqohen, siç është informaliteti, ku kanë vërshuar lloj-lloj portalesh, radio dhe televizione në internet, të cilat po i bëjnë konkurrencë mediave legale që janë të licencuara në KPM. “Mu për këtë, ne jemi vënë në pozitë të vështirë financiare, ku vërtetë nuk po mundim as të vazhdojmë veprimtarinë tonë dhe as ta shuajmë institucionin, për të cilin kemi investuar aq shumë mund dhe mjete materiale”, tha drejtori i TV Prizrenit, Myfail Bytyqi, duke e përkrahur propozimin e kolegëve që të shtyhet afati i pagesës deri në fundvit.
Transmetuesit audio-vizuelë është dashur ta bënin pagesën e taksës deri më 31 mars të këtij viti. Në të kundërtën, ligji parasheh marrjen e licencës për operatorët që nuk e kryejnë pagesën. Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), nën udhëheqjen e kryetarit, Adnan Merovci, ka mbajtur një mbledhje më 17 shtator 2015, ku ka trajtuar rastet e mospagesës së taksës për licencë nga ana e të licencuarve, obligim ky ligjor që del sipas Rregullores KPM-2014/03 për nivelin dhe mënyrën e pagesës së tarifës për licencë, me qëllim evitimin e aplikimit të sanksioneve të parapara me ligj, përfshirë edhe revokimin e licencave.
• Kronika RTV21 – VIDEO