Dorëhiqet Luiza Xhuvani – Shkak vepra e djalit të saj!


luiza xhuvani vajtonTiranë, 04 nënëtor 2014 – Deputetja socialiste, Luiza Xhuvani, i ka paraqitur dorëheqjen e saj kryeministrit, Edi Rama, si dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pas masakrës që ndodhi në Tiranë, ku është implikuar edhe djali i saj, Kostandini.
E përlotur skajshmërisht dhe në prani të kryeministrit Rama, ajo ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media, duke kërkuar që drejtësia të bëjë drejtësi dhe djali i saj të trajtohet përpara ligjit, i barabartë me secilin qytetar.

Fjala e Luiza Xhuvanit para mediave

Është dhimbja e një nëne, që sot e ka të pamundur të marrë mbi vete fajet e të birit. E kuptoj se sot, gjëja më e lehtë dhe më e thjeshtë, është që të fajësosh prindërit për fajin e Kostandinit, edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy, njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit, prindër që si çdo prind tjetër dëshiron më të mirën për fëmijën e vet por, me sa duket, paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.
Ngjarja e ndodhur sot, është tragjike. Por, ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj.
Janë katër familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve më të shtrenjtë, katër familje që sot kërkojnë drejtësi. Dhe, drejtësia duhet të bëjë drejtësi. Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë para ligjit. Kush është prind, më kupton; kush është nënë, më kupton edhe më mirë.
Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave, ai do të mbetet djali im. E pikërisht se një nënë duhet të gjendet në krah të fëmijës, në momentet tragjike si kjo, me bindjen se drejtësia duhet të funksionojë ndaj kujtdo, edhe kur bëhet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdo lloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend, se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.
Prandaj, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që ma ka zgjedhur, duke i kërkuar ndjesë, i kam paraqitur sot kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PS-së, dorëheqjen time si deputete e rrethit të Sarandës. Mos i ndodhtë asnjë prindi, kjo që më ka ndodhur mua dhe mos i ndodhtë askujt, ajo tragjedi që ka ndodhur sot. Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im, nuk mund ta mohoj se është gjaku im. Po tërhiqem në thellësinë e dhimbjes, me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi.