Bilanci nga protesta në Mitrovicë – Të lënduar nga dy palët (Video)


protesta mitrovice uraMitrovicë, 22 qershor 2014 – Trembëdhjetë policë të Kosovës, dy gazetarë, si dhe dhjetë qytetarë janë lënduar në protestën e sotme në Mitrovicë. Gjithashtu, katër automjete janë djegur, prej të cilave dy të EULEX-it, një i UN-së dhe një i Policisë së Kosovës. Mësohet gjithashtu se dhjetëra persona janë arrestuar.
Ky është bilanci i gjithë asaj që ka ndodhur të dielën, për rreth tre orë rresht në qytetin e Mitrovicës. Zëdhënësi i policisë së Kosovës për këtë rajon, Avni Zahiti, tha se Policia e Kosovës, bazuar në planin operativ për këtë ngjarje, ka vepruar në kondita të asaj që gjendja të jetë e kontrolluar dhe të mos lejohej eskalimi i situatës. “Policia, në veprimin e saj për kontrolluar turmën e njerëzve, ka ndaluar disa persona, të cilët janë shoqëruar në objektet policore. Ndërkaq, si pasojë e sulmit të protestuesve, të cilët kanë hedhur gurë dhe mjete të forta në drejtim të policisë, janë lënduar 7 pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilëve u është dhënë tretman mjekësor në spitalin rajonal të Mitrovicës. Përveç kësaj, kemi 4 vetura zyrtare të djegura, si pasojë e vënies së zjarrit nga ana e protestuesve”, ka thënë Zahiti.
Ndërkaq, për protestat e sotme në Mitrovicën Jugore, ka reaguar edhe KFOR-i, duke vlerësuar se policia ka reaguar në mënyrën e duhur dhe se është treguar e aftë në ballafaqimin me protestuesit, duke demonstruar profesionalizëm të lartë, efektivitet dhe aftësi në menaxhimin e situatës. “U bëj thirrje të gjitha autoriteteve në jug dhe veri të Mitrovicës, si dhe të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë. Të vazhdojë dialogu, në mënyrë që të zgjidhen problemet nëpërmjet sqarimeve, takimeve dhe negociatave“, ka thënë komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajori Salvatore Farina, duke shtuar se KFOR-i ka një rol të rëndësishëm, i cili do të vazhdojë të operojë në garantimin e një ambient të sigurt dhe të përkrahë institucionet në Kosovë, duke promovuar progresin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Kliko këtu për të parë VIDEO!