Tronditet Restelica – Djali me të meta mendore i merr jetën nënës!

Tronditet Restelica – Djali me të meta mendore i merr jetën nënës!

Dragash, 21 janar 2026 – Në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë, brenda familjes. Bazuar në të dhënat fillestare të hetimeve zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta nënën e tij, duke ushtruar dhunë fizike, në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë.
“Pas pranimit të informatës, në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është transferuar për obduksion në IML”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.
Nga bashkëvendësit e dorasit, mësohet se i dyshuari ka çrregullime mendore, si dhe për problemet që kishte edhe më parë, ku ishte i përfshirë në dhunë brenda familjes. Sipas Prokurorisë, ai ishte i përfshirë në tri raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit. Dy raste gjatë vitit 2021 dhe një rast është trajtuar gjatë vitit 2024. “Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Prizren, duke shtuar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut që sollën deri tek kjo tragjedi familjare.