Përfundimisht Kosova e di datën e liberalizimit – Më 1 janar 2024

Përfundimisht Kosova e di datën e liberalizimit – Më 1 janar 2024

Bruksel, 22 nëntor 2022 – Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Kështu raporton Radio Evropa e Lirë, duke marrë vesh se pajtimi u arrit sot, në një takim të këshilltarëve për viza në Bruksel.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërës nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Paraprakisht, Çekia, e cila aktualisht udhëheq për gjashtë muaj presidencën e BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023 por ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta.
Sipas propozimit të miratuar sot, hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional edhe sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024. Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën.
Diplomatë të BE-së thonë se kalimi i propozimit është një gjë pozitive sepse ekziston një datë konkrete për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave. Sipas tyre, nëse ETIAS bëhet funksional sipas pritjeve, përkatësisht në nëntor të vitit të ardhshëm, liberalizimi i vizave mund të hyjë në fuqi edhe më herët, më 1 nëntor, 2023.

Çfarë është sistemi ETIAS?

ETIAS është një sistem digjital që synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë nga jashtë BE-së në zonën Shengen. Ky sistem është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022 por data është shtyrë disa herë dhe tani, si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e sistemit ETIAS.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit shtet nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018 ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave por, kanë qenë disa vende anëtare, që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.


 

KËRKO FJALËT