Viti, 18 tetor 2022 – Hafir Hoxha nga fshati Sllatinë e Poshtme, Komuna e Vitisë, në Kosovë, një ish-ushtarak karriere, veteran i luftës së vitit 1991 në Slloveni dhe i luftës në Kosovë, tashmë ka pasion mbrojtjen e ambientit, diversitetin në natyrë, si dhe artin figurativ. “Kudo që udhëtoj, në Kosovë sjell fara të drunjve dhe luleve, ku pastaj ato i shpërndaj me miqtë e mi sepse oborrin tim e kam mbushur me lloje të ndryshme të drunjve dhe luleve. Pikërisht për këtë, shumë shpezë të rralla ndërtojnë çerdhe dhe, mu në oborrin tim, ato shumohen. Por, që në fëmijëri kisha ëndërruar të kisha një çerdhe lejleku, ku do të kënaqesha duke e shikuar çdo ditë”, thotë për redaksinë tonë Hafiri, duke shtuar se gjithnjë kishte lexuar dhe hulumtuar se si ta sjell lejlekun në shtëpinë e tij. “Pasi kam lexuar dhe kam mësuar shumë për lejlekët, u angazhova t’ua ndërtoja bazamentin nga metali, mbi pullazin e shtëpisë, e thura folenë me thupra bambusi, dru ky që e kultivoj në oborrin tim, dhe po prisja. Pas një viti, lejlekët e vizituan çerdhen dhe, duket se iu pëlqeu, prandaj u vendosën aty”, vazhdon rrëfimin e tij Hafiri, duke e shprehur lumturinë e tij që ia doli ta sillte lejlekun në shtëpi.
Gjithsesi, Hafili adreson edhe ankesa madje edhe lutje në adresë të banorëve të zonës, si dhe në adresë të pushtetin lokal dhe atij qendror. “Sa më parë të rregullohet rrjeti i kanalizimeve dhe ujërave të zeza sepse gjendja e ujit në lumenj është katastrofë. Të gjitha lëndët kimike me të cilat pastrohet në amvisëri dhe jo vetëm janë helmuese, si varikina, domestosi e nuk di çfarë shamponë e detergjente tjera, të cilat përmbajnë materie kimike helmuese, po i helmojnë gjallesat nëpër lumenj. Prandaj nuk ka më peshk, ndërkohë që edhe bretkosat gati po zhduken”, përfundon rrëfimin e tij për redaksinë tonë Hafir Hoxha nga Sllatina e Poshtme e Vitisë, duke shfaqur brengën se lejleku i tij nuk do të mundë të ekzistojë pa ushqimin që zakonisht e kërkon pranë lumenjve.
Veterani i UÇK-së, sot e do natyrën – Apelon për kujdes!
POSTIMI I RADHËSPanairi EXPO SHARRI – Ja si të regjistroheni për pjesëmarrje!