Dragash, 30 gusht 2022 – Me qëllim promovimin dhe stimulimin e prodhimeve vendore nga Dragashi, duke i përfshirë edhe produktet artizanale dhe ato kulturore, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka zhvilluar një takim me Shoqatën e Afaristëve “SHARRI” për t’u konsultuar rreth modaliteteve se si të organizohet ky panair, sa më mirë dhe të jetë sa më dobiprurës.
Në takim ishte delegacioni treanëtarësh nga shoqata, Burim Piraj, Beqir Beqaj dhe Eroll Bajrami, të cilët u zotuan se kjo shoqatë mund ta organizoj panairin në mënyrën më të mirë, duke i sjellë të gjithë prodhuesit tanë në promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre, aty ku më së shumti do të ketë interesim nga konsumatori, si nga komuna jonë ashtu edhe nga viset tjera shqiptare. “Ne kemi rrjetin tonë të prodhuesve, të cilët do t’i sjellim në panair, ndërkohë që kemi edhe shtëpinë tonë informative, nga e cila do ta kuptojnë qytetarët se në Dragash po organizohet ngjarja më e madhe ekonomike, ku mund të gjejnë mallin vendor dhe me çmimet më të arsyeshme se sa ato që i gjejnë rëndom”, tha Piraj.
Të pranishëm ishin edhe drejtori për Ekonomi… Qamil Kolloni dhe zyrtari komunal për Bujqësi, Flamur Sylejmani, të cilët u zotuan se do të bëjnë maksimumin që ky panair të jetë një ngjarje që stimulon dhe rrit zhvillimin ekonomik.
Në mbyllje, kryetari Xheladini tha se brenda një muaji do të përfundojnë të gjitha procedurat dhe ky panair do të mbështetet në maksimum nga Komuna. “Ne do ta mbështesim këtë ngjarje të rëndësishme me karakter ekonomik dhe, po qe se do të rezultojë pozitiv për ekonominë tonë, atëherë do ta shpallim tradicional”, tha Xheladini.
Komuna e Dragashit planifikon organizimin e një panairi
POSTIMI PARAPRAKNë Dragash vazhdon kërkimi i një personi të zhdukur!