Në Dragash vazhdon kërkimi i një personi të zhdukur!

Në Dragash vazhdon kërkimi i një personi të zhdukur!

Dragash, 09 shtator 2022 – Ende nuk është gjetur personi i zhdukur, Meledin Adili, rreth 26 vjeç, nga fshati Borje, në Shqipëri, i cili më 4 shtator ka dalë në bjeshkët e fshatit Brod, në komunën e Dragashit për të mbledhë boronica.
Që nga momenti i raportimit si person i zhdukur, Policia e Kosovës dhe kolegët e tyre nga Shqipëria kanë filluar një operacion kërkim – shpëtimi por ende nuk kanë hasur në ndonjë gjurmë. Operacioni është zgjeruar, ku përveç policisë nga dy vendet tona janë përfshirë edhe FSK -ja, Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe vullnetarë të shumtë.
Në terren kishte dalë edhe vet drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, koloneli Faton Alia, për të koordinuar operacionin, ku u konsultua edhe me komandantin e Stacionit Policor të Dragashit, Shaqir Ukën, me Policinë Kufitare të Kosovës, me Policinë Kufitare të Shqipërisë, me Njësitin e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së dhe me pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për  kërkim-Shpëtim. Ai ka urdhëruar që në operacion të dërgohet edhe Njësiti i Reagimit të Shpejt, si dhe hetuesit rajonal, për të marrë rastin në kompetencë.
Përpos personelit të përfshirë në këtë rast, FSK-ja ka përdorur për kërkim edhe qentë dhe motoçikletat për terrene malore. Ndërkaq Policia e Shqipërisë po përdor edhe dronin, por deri më tani nuk është rënë në ndonjë gjurmë të personit të zhdukur.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka thënë se është i informuar me rastin dhe, sipas mundësive, edhe Komuna do të angazhohet në këtë aksion.