Gjykohet menaxheri i “Eko-Regjionit” në Dragash!

Gjykohet menaxheri i “Eko-Regjionit” në Dragash!

Prizren, 26 gusht 2022 – Në Gjykatën Themelore në Prizren, në shqyrtimin fillestar janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit, Salih Shala dhe Nehat Basha, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Shala, në cilësinë e menaxherit, dhe Basha, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Eko-regjioni”, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos zbatuar procedurat e prokurimit, duke bërë shtyrjen e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash, me ç’rast i shkaktojnë KRM “Eko-regjionit” dëm në vlerë prej dy mijë e 700 euro.
Në seancën e së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, të akuzuarit Shala dhe Basha janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë. Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Klodian Krasniqi dhe Esat Gutaj, kanë thënë se i mungojnë disa nga shkresat e lëndës dhe kanë kërkuar nga prokuroria që të pajisen me to. Lidhur me këtë, prokurori Biraj ka thënë se do t’i pajisë të njëjtit me shkresa të lëndës në afat kohor sa më të shkurtër. Po ashtu, avokati Gutaj ka kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, që të mundësohet nga gjykata që seancat e radhës të incizohen me video dhe audio por për këtë gjë do vendoset në seancën e radhës, e cila është caktuar më 3 tetor 2022.
Ndryshe, aktakuza ndaj të pandehurve, Salih Shala dhe Nehat Basha, është ngritur më 22 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda. Sipas dispozitivit të parë të kësaj aktakuze, të akuzuarit Salih Shala dhe Nehat Basha, po ngarkohen se si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare e pastaj i tejkalojnë autorizimet zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shala, në cilësinë e menaxherit të njësisë “Eko-regjioni” në Dragash, më 27 gusht 2019, i bën kërkesë të akuzuarit Basha, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-regjioni” në Prizren, që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan”, në Dragash, të cilën kërkesë ky i fundit e miraton më 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë gjegjëse i shkakton dëm material prej 2 mijë e 700 euro.
Për këto veprime, Shala dhe Basha po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragraf 1 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Nehat Basha po akuzohet se si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko-Regjioni”, Sh.A, në Prizren, i tejkalon kompetencat me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për tjetrin apo t’ua shkelë të drejtat personave tjerë. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se, në periudhën kohore 1 janar 2019 e deri më 1 gusht 2020, në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, i dekretuar më 18 nëntor 2010, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike me personat, Agim Muçai, Gilbehar Kurtai, Zgjim Kryeziu, Ylli Pirkuqi, Majlinda Gërguri dhe Luljeta Kastrati-Mustafa. Me këto veprime, Basha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 41,4 paragraf 1 të Kodit Penal, raporton – Betimi për Drejtësi.