Dragash, 10 shkurt 2022 – Në Dragash ka filluar turneu në futboll të vogël, ku do të garojnë nxënës e arsimtarë të SHFMU-ve nga kjo komunë, për ta nisur kështu manifestimin për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara për nder të kësaj date të rëndësishme për Kosovën, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, i ka nisur aktivitetet e para, ku sot, në Qendrën Sportive “Aroma”, ka filluar faza e parë e turneut mes nxënësve. “Krahas turneut të futbollit, do të organizohet dhe turneu i volejbollit mes vajzava të SHML ‘Ruzhdi Berisha’, si dhe shumë aktivitete të tjera, për të kulmuar më 17 shkurt me Akademi Solemne dhe homazhe tek varrezat e atyre që ranë për këtë liri”, tha mes tjerash për redaksinë tonë, Selim Kryeziu, drejtor i Arsimit në Dragash.
Në hapjen e këtyre garave, përpos Kryeziut, të pranishëm ishin edhe zyrtarë tjerë të Komunës së Dragashit, si nënkryetari i Komunës, Resul Fetahu, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Liridona Piraj – Misinaj, si dhe koordinatori për Rini, Nexhat Tërshnjaku.