Ylber Qusaj – Mërgimtari që na nderon në Zvicër!

Ylber Qusaj – Mërgimtari që na nderon në Zvicër!

Nga: Beqir BEQAJ


Në vitin 2018, kompania “Novartis” ka ndarë çmimin prestigjioz “AËARD Stein Rubin” për kontribut në idejimin e procesit të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim. Gati çdo vit nga Kompania “Lonza” merr mirënjohje për kontribut në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve! Ky është bashkatdhetari ynë në Zvicër, Ylber Qusaj, i lindur në fshatin Pllajnik të krahinës së Opojës, komuna e Dragashit, në Kosovë.
Dr. Quasaj na e dëshmon se mërgata shqiptare nuk ka vetëm sportistë të mirë por ka edhe shkenctarë, me të cilët krenohen vendet pritëse. Nuk është më ajo mërgatë që ka punuar vetëm punë krahu por, gjithandej, kemi intelektualë të suksesshëm. Shpesh po lexojmë për arritjet e të rinjëve tanë në fusha të ndryshme të dijes, kudo në botë. Edhe bashkatdhetari ynë, Ylber Qusaj, pasi është shkolluar në atdhe, largohet në Zvicër, ku për një kohë të shkurtër mbërrin majat e shkencës. Pa e njohur gjuhën gjermane, pa e njohur mirë shtetin ku do të shkonte, me diploma universiteti, nis një jete të re. Duke respektuar ligjin e shtetit zviceran, duke u përkrahur nga bashkëshortja dhe familja në përgjithësi, Ylberi nuk reshti së kërkuari dituri, deri sa u gradua me gradën më të lartë shkencore.
Prof. Dr. Ylber Qusaj, pavarësisht të arriturave flet me modesti sepse nuk vuan nga egoizmi, shpalos biografinë e tij, që kur u largua nga atdheu, se si erdhi në Zvicër dhe si arriti këtë suksese. Nuk harron së falenderuari prindërit e tij, për të cilët thotë se e rritën me shumë dashuri dhe etikë morale, si dhe rrethin ku u rrit dhe fitoi bazën e arsimimit. Falënderues është edhe për mësuesit, arsimtarët, profesorët nga, që nga shkolla fillore, e mesmen dhe fakulteti, të cilat i kreu në tokat shqiptare.
I lindur më 05 prill 1983, në fshatin Pllajnik të Opojës, Komuna e Dragashit, pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, viti 2002, një kohë të shkurtër ka punuar si teknik medicinal në vendlindje. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka ndjekur studimet për farmaci, të cilat i ka përfunduar me sukses të shkëlqyer, në vitin 2007. Gjatë studimeve në Tetovë, prof. dr. Qusaj shquhet edhe për pjesëmarrje aktive në veprimtari të ndryshme që zhvilloheshin në universitet dhe jashtë tij. Është i qetë, me kulturë për të dëgjuar, me respekt ndaj bashkëbiseduesit dhe i etur për atdhe. Ai gjithnjë përmend prindërit, familjen e tij në atdhe e diasporë. Flet me krenari për bashkëshorten e tij, me të cilën bashkërisht arritën këtë sukses. Thotë se kujdes e dashuri të madhe merr nga bashkëshortja e fëmijët, gjë që atë e frymëzojnë edhe më shumë për të vazhduar ngjitjen në shkallët e suksesit. Ai flet edhe për vështirësitë që kishte kur shkoi në Zvicër. “Me të mbërritur në Zvicër, doja të punoja dhe jo të rrija e të prisja suksesin të më vinte vetëvetiu. Punën e kisha të trashëguar, si dhe bindjen se vetëm me djersë arrihen të mirat. Kur disa shokëve të punës iu flisja për dëshirën time, që një ditë të vazhdoj studimet apo edhe të punoj në profesionin tim, dikujt i dukej si një ëndërr e pa arritshme”, thotë dr. Qusaj, i cili, përveç se është shkenctarë, është i kompletuar edhe me etikë. Duke ditur të nderojë të tjerët dhe duke mos rrahur gjoksin, ai në heshtje po i frymëzon dhe po iu ndihmonë edhe atyre që duan të merren me shkencë.
Njohja me bashkudhëtaren e tij të jetës, i dha atij mundësinë që të vazhdojë edhe më tej rrugëtimin drejt zgjerimit të dijes. Pas përfundimit të fakultetit të farmacisë, në fund të vitit 2007, Ylberi emigron në Zvicër, ku jetonte bashkëshortja e tij me familjen e saj.
Sfida e parë, me të cilën është ballafaquar në këtë mjedis të ri, ishte mësimi i gjuhës gjermane, e cila do t’ia hapte shtigjet për vazhdimin e rrugës së shkollimit. Nga viti 2008-2009, falë vullnetit të çeliktë, kishte arritur t’i kryente disa nivele të mësimit të gjuhës gjermane, të cilën arriti ta zotërojë deri në nivel shkencor. Kjo i hapi atij rrugë që të niste punë në industrinë farmaceutike, për të cilën kishte përgatitjen adekuate shkollore.
I doktoruar për Farmaci në Strasburg të Francës dhe i punësuar në gjigandin farmaceutik, në Aargau të Zvicrës, ku edhe jeton, prof. dr. Qusaj shquhet edhe në aktivitetet shkencore, duke u bërë një nga personalitetet më të respektuara shkencore në shtetin helvetik dhe jo vetëm. Që nga viti 2020 është angazhuar edhe si ligjërues i lëndës “Prodhimi i Avancuar i Medikamenteve” në Kolegjin “Rezonanca” në Prishtinë.
Në shtator të vitit 2008, me ndihmën dhe bashkëpunimin e bashkëvendësit, Blerim Krasniqi, që ishte edhe udhëheqës në këtë repart, e filloi praktikën e punës në industrinë farmaceutike Bioforce AG (A. Vogel), Roggëil (TG) ku u angazhua në zhvillimin e medikamenteve në bazë bimore. Kjo e ndihmoi shumë që të integrohej në mjedisin e ri dhe të regjistronte studimet e doktoraturës. Pikërisht kjo kompani i ndihmoi në finalizimin e doktoratës. Në tetor të vitit 2009, i filloi studimet e doktoraturës në Universitetin e Bazelit, në Zvicër, ndërsa nga viti 2011-2012 i vazhdoi këto studime në Universitetin e Strasburgut, në Francë. Më 1 shkurt 2013 mbroi me sukses disertacionin e doktoraturës me temën: “Optimizimi dhe Investigimi i Tabletave Echinacea me Teknologjinë ‘base granulate’”. Doktoratura u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Bazelit, Universitetit të Strasburgut dhe Kompanisë “Bioforce AG” ku kishte zhvilluar pjesën eksperimentale të punimit të doktoraturës. “Falë rezultateve të arritura në punë, përfundimit të doktoratës në lëmin e farmacisë dhe në universitetet më prestegjioze në Evropë, personaliteti im vlerësohet dhe respektohet shumë, jo vetëm në kompaninë ku punoj, e në kompanitë ku kam punuar, por edhe në mesin e komunitetit zviceran dhe atij shqiptar që jeton në Zvicër. Përvoja në punë dhe avancimet në fushën shkencore në farmaci kanë bërë që unë të jem njëri nga kuadrot më të respektuara, duke më dhënë edhe rol udhëheqës në kompani. Gradimi shkencor në lëmin e farmaceutikes ka bërë që të jem i privilegjuar dhe i respektuar, si në aspektin shoqëror e moral, po ashtu edhe në aspektin financiar”, thotë dr. Qusaj, duke përnmendur edhe vitin 2018, kur Kompania “Novartis” i ndau çmimin prestigjioz “AËARD Stein Rubin” për kontribut në idejimin e një procesi të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim, si dhe faktin që, pothujse çdo vit, nga Kompania “Lonza” merr mirënjohje për kontribut në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve.
Pavarësisht kësaj lidhshmerie në shtetin e Zvicrës, malli për atdheun nuk i largohet. Dr. Qusaj është një kryefamiljar i përkushtuar dhe i lidhur ngushtë edhe me vendlindjen. Çdo pushim, sado i shkurtë që të jetë, bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij, e kalon në Kosovë, ku i viziton të afërmit dhe miqtë e shumtë. Madje, shpesh e viziton edhe redaksinë tonë, ku interesohet për punën dhe hallet me të cilat ballafaqohemi si institucion mediatik në një vend të vogël, siç është Dragashi. “Diaspora ka kontribuar për vite të tëra dhe vazhdon të kontribuojë në aspektin financiar dhe kulturor e organizativ. Mendoj se ne duhet të organizohemi që shtetet tona mos të varen vetëm nga remitencat, por të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e shteteve. Kosova e Shqipëria duhet të kontribuojnë më tepër që ne të bartim përvojën perëndimore në atdhe. Ka shumë kuadro të kualifikuara, sidomos këtu në Zvicër, që japin kontributin e tyre në atdhe, por duhet të krijohen me shumë politika dhe mundësi nga shtetet përkatëse që këto njohuri ne t’i bartim në atdhe, sepse shumë nga ne kemi mundësi ta bëjmë këtë për vendlindjen”, thotë dr. Qusaj, duke përkujtuar se gjeneratat e para të diasporës shqiptare të viteve ’70 – ’90 ishin kryesisht mashkuj që kishin qëllime të përfitimit të parave për ta mbajtur familjen në atdhe. “Ata ikën nga dhuna, nga shtypja etnike dhe identitare dhe kanë qenë të drejtuar në atë kohë nga frika e asimilimit. Ata e kanë parë identitetin shqiptar në mënyrë më emocionale. Pas viteve ’90-ta, ata filluan t’i marrin edhe familjet e tyre dhe kështu edhe qëllimet e tyre filluan të ndryshonin, pasi fëmijët filluan të ndjekin shkollat në një vend të huaj dhe në një formë lindën edhe programet e reja të integrimit, të cilat, pak a shumë, ndikuan në vetëdijesimin rreth çështjeve edukuese. Mundësitë e përfitimit të kësaj forme filluan t’i shfrytëzonin fëmijët e tyre, duke ndjekur shkollimin. Sot gjeneratat e reja janë përqendruar më tepër në arsim dhe kontribut në të gjitha lëmitë ku punojnë. Ajo është edhe rruga më e duhur për integrim, duke qenë pjesë e shoqërisë dhe duke kontribuar në këtë shoqëri”, pohon dr. Qusaj, i cili e sheh ndryshe mitin e krijuar se, mergimtarët vijnë në vendlindje dhe krekosen me të arriturat e tyre ekonomike. “Unë e shoh se gjeneratat e reja nuk dëshirojnë vetëm të shkojnë në Kosovë me ndonjë veturë të shtrenjtë sa për t’u krenuar apo vetëm për t’u martuar e për të bërë dasma të shtrenjta në Kosovë. Është një grup në rritje, i cili dëshiron të kontribuojë në zhvillim më afatgjatë, qoftë për shoqërinë civile, qoftë për sektorin privat, prandaj kërkoj që qeveritë tona të bëjnë më shumë për t’iu krijuar kushte legjislative dhe infrastrukturore këtyre që mendojnë për vendlindjen”, konstaton dr. Qusaj, i cili ka menduar edhe për kohën kur do të arrijë pensionin. “Shpesh e kam menduar dhe kam bërë plane edhe me bashkshorten time rreth pensionimit dhe jetës sonë. Për këtë, në këtë kohë të re, kemi rregulluar një shtëpi të re në Kosovë, ku mendojmë ta kalojmë një pjesë të jetës si pensionistë. Për mua janë edhe shumë vite deri në pension, por ajo sinjalizon se rrugëtimi im, duke punuar shumë ka përfunduar. Si pensionist e shoh veten duke shijuar jetën me atë që kam dashur dhe pasur gjithmonë në mendje. Planifikoj të merrem më shumë me hobin tim, duke udhëtuar nëpër botë dhe duke kaluar më shumë kohë me familjen time në vendlindje dhe këtu në Zvicër”, shprehet dr. Qusaj. Ai kujton kohën e fëmijërisë dhe rinisë në vendlindje, për të cilën thotë se janë kujtime të mira. “Unë jam rritur dhe zhvilluar në vendlindje. Këtu kam ardhur si 24-vjeçar, kështu që kam kujtime të mira me vëllezërit, me familjen dhe shoqërinë. Këto kujtime të mira janë pjesë e jetës dhe do të mbeten gjithmonë tek unë. Jam i lidhur shumë ngushtë me vendlindjen. Prandaj, frymën e fundit shpresoj ta marr nga ajëri i vendlindjes sime”, përfundon bisedën dr. Ylber Qusaj, i cili është njëri nga shumë mërgimtarët e kësaj ana, të cilët po e nderojnë vendlindjen kudo nëpër botë.