Turqit gjurmojnë varreza në Gorë, pa dijen e institucioneve!

Turqit gjurmojnë varreza në Gorë, pa dijen e institucioneve!

Dragash, 15 gusht 2018 – Mësimdhënësi i sistemit paralel nga Vraniçi, Tair Ashimi, i cili tashmë është i pensionuar, në profilin e tij në Facebook ka shpërndarë fotografi të disa gurëve të varrezave, për të cilët ka thënë se janë të lashtë. Këtë konstatim e ka bazuar tek një profesor, i cili kishte ardhur nga Turqia, enkas për këtë gjurmim, në bazë të të cilit do të shkruhet një libër. “Sot, gjatë kërkimeve për gjurmë të vjetra nëpër varrezat e fshatrave tona, kemi gjetur shenja që, sipas kalendarit të Hixhrit, i takojnë viteve 1051 dhe 1067. Këtë e ka vërtetuar profesori nga Stambolli i Turqisë, së bashku me dy shoqëruesit e tij, me të cilët kam qenë edhe unë në terren. Me këtë material të mbledhur në Gorë, do të shkruhet një libër”, ka shkruar Ashimi, duke e potencuar se, nga disa dhjetëra fotografi, i ka veçuar vetëm dy për ti postuar në Facebook.
Nexhat Tërshnjaku, zyrtar për Kulturë pranë Drejtorisë komunale të Dragashit për Kulturë, Rini e Sport, tha për redaksinë tonë se nuk është në rrjedha të këtij veprimi që po ndodhë dhe se do të interesohet lidhur me këtë. “Nuk jemi njoftuar për kurrfarë aktiviteti të kësajë natyre, por do të interesohemi që të mësojmë se çka po ndodhë në realitet”, tha shkurt Tërshnjaku.
Njëjtë ka deklaruar edhe kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, duke shtuar se një takim me ushtarët turq të KFOR-it është paraparë për sot, por nuk e di se cila është tema për këtë takim të kërkuar nga kjo e fundit. “Më kanë ftuar për një takim, për ende nuk e di se për çfarë arsye. Sot jam në Prishtinë dhe kur te kthehem do të takohem me ta”, ka thënë shkurt përmes telefonit kreu i Komunës.
Më herët, Indeksonline ka raportuar se për këtë gjurmim “klandestin” askush nuk është në dijeni as nga institucionet qendrore. “Edhe vite më parë, hulumtues nga jashtë Kosovës, në mënyrë ilegale dhe me aparate e detektorë të monedhave metalike, kanë gërmuar përreth mureve gërmadhë të kalasë së quajtur (Hisar) që gjendet në Trokan, ku kufizohen fshatrat: Brrut, Billushë, Plavë dhe Brezne, ku është hapur një gropë dhe janë kërkuar monedha e vegla metalike të lashta. Poashtu janë kryer gërmime të paligjshme përreth varrit monumental në vendin e quajtur (Gjermani i Zgatarit), përreth vendit të quajtur (Kisha), në fshatin Brrut të Opojës, tek (Guri i shpuar), brenda varreve, si dhe kohë më parë hulumtime ilegale janë bërë tek (Tyrbja e Plavës), historia e së cilës është publikuar në versione të ndryshme e të shtrembëruara në disa libra të publikuar viteve të fundit në Turqi”, ka shkruar mes tjerash Indeksonline.