Të premten në Dragash organizohet Panairi tradicional “Expo-SHARRI”

Të premten në Dragash organizohet Panairi tradicional “Expo-SHARRI”

Dragash, 05 tetor 2024 – Shoqata e Afaristëve “SHARRI”, e mbështetur nga Komuna e Dragashit, të premten, më 11 tetor, organizon Panairin Tradicional “Expo SHARRI”, në të cilin do të ekspozohen prodhimet bujqësore, blegtorale, si dhe punimet artizanale të këtij rajoni.
Panairi “Expo SHARRI” ka dëshmuar se është mundësi e mirë për fermerët, prodhuesit lokal dhe prodhuesit e produkteve tradicionale të kësaj ane që t’i ekspozojnë produktet e tyre, ndërsa vizitorët kanë rastin më të mirë që të njoftohen me produktet tradicionale. Në panair marrin pjesë fermerët, prodhuesit tradicional të djathit të Sharrit, prodhues të mjaltit, promovues të turizmit, përpunuesit e bimëve mjekuese dhe frutave të malit, punues të artizanaleve të ndryshme tradicionale, përpunues të mishit, artistë të punimeve nga druri etj.
Bazuar në vitet e kaluara, ky panair ka dëshmuar se Dragashi, falë mbështetjes së Komunës, përkatësisht kryetarit, Bexhet Xheladini, ka arritur t’i sensibilizojë bizneset, sidomos fermerët, që të aktivizohen dhe zgjerohen edhe më shumë në veprimtarinë e tyre. Këtë e thotë edhe kryetari i Shoqatës së Afaristëve “SHARRI”, Burim Piraj, i cili me veprimtarinë e tij, si pronar i kompanisë “MEKA” ka përvojë të larmishme në rolin e panaireve, pasi është pjesëmarrës në gjithë Evropën dhe jo vetëm. “Ne si kompani marrim pjesë në panaire të ndryshme në Evropë dhe më gjerë. Prandaj, e njohim rëndësinë e këtyre organizimeve. Në panaire, i ke të gjitha mundësitë për zgjerimin e aktivitetit, që nga marketingu e deri tek lidhjet e kontratave të ndryshme mes afaristëve. Prandaj, ne si shoqatë synojmë këtë gjë… rritjen dhe shtrirjen e aktivitetit të kompanive tona, si dhe aktivizimin e fermerëve për më shumë veprimtari apo edhe individëve që merren me punimin dhe ruajtjen e artizanaleve”, tha Piraj për redaksinë tonë.
Ky është viti i tretë që organizohet panairi, i cili tashmë ka hyrë në binarët e organizimit të rregullt për çdo vit, ku aktualisht gëzon mbështetje vetëm nga Komuna e Dragashit, por që ka premtime edhe nga qeveria qendrore. Këtë e pati deklaruar kryeministri, Albin Kurti, i cili pati marrë pjesë në hapjen e këtij panairi, ku edhe kishte premtuar se do ta mbështesë financiarisht këtë organizim.


 

KËRKO FJALËT