Dragashi forcon edhe më shumë emrin “Sharri” (Video)

panairi dita djathitDragash, 06 mars 2015 – Kooperative Bujqësore “Natyra e Sharrit”, në bashkëpunim me Komunën e Dragashit dhe e mbështetur nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG – RRD), organizoi sot në Dragash panairin “Dita e Djathit 2015”.
Në panair, përpos prodhuesve të qumështit nga rajoni i Sharrit, morën pjesë edhe prodhuesit e mishit, si dhe prodhuesit e artizanaleve.
Përfaqësuesi i SWG-së, Emrullah Spahiu, tha se ndihet i lumtur që shikon se si fermerët e kësaj ana kanë marrë hapat e tyre dhe me sukses po i ruajnë produktet nga kjo trevë, që tashmë kanë bërë emër si produkte BIO. “Mjafton të thuash se një produkt është nga Sharri dhe, askush nuk e vë në dyshim cilësinë e tij. Prandaj, ne kurrë nuk do të rreshtim së mbështeturi të tilla aktivitete si ky që po zhvillohet sot”, tha Spahiu. Ndërkaq, në emër të Komunës së Dragashit, të pranishmit në panair i përshëndeti nënkryetari i Komunës së Dragashit, Selami Sahiti, i cili tha se Komuna mburret me fermerët e saj. “Ata janë emblema e komunës sonë dhe e mbarë këtij rajoni. Secili nga ne duhet të krenohet me ta, pasi vetëm kështu mund të zhvillohemi ekonomikisht por edhe të ushqehemi shëndetshëm”, tha Sahiti.
Përkundër motit jo të përshtatshëm, panairi u vizitua nga shumë qytetarë, të cilët mburreshin teksa shikonin vetëm produkte vendore, që nga çaji, mëlmesa, produktet e mishit dhe ato të qumështit që tashmë po përpunohen me standarde bashkëkohore edhe në këtë komunë.

• Pamjet VIDEO

Leave a Reply