Të flasësh shqip në Beograd, si Danica!

Të flasësh shqip në Beograd, si Danica!

Beograd, 28 gusht 2023 – Në edicionin qendror të lajmeve, mbrëmjen e së dielës, ndër të tjerash RTK ka shfaqur edhe një kronikë të përgatitur nga korrespondentja nga Beogradi, Anamari Repiq, e cila thotë se në kryeqytetin serb ka njerëz që krejt arsimimin e tyre e përqendrojnë në mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Repiq, një serbe kjo që flet rrjedhshëm shqip, ka intervistuar një albanologe serbe në Beograd, e cila i thotë se ka rënë në dashuri me shqipen. “Gjuha shqipe mund të mos flitet nga numër i madh i serbeve por, ata që e kanë mësuar, flasin për përfitimet kulturore. Njëra prej tyre është edhe, Danica Vasileviq, e cila pas përfundimit të studimeve të gjuhës shqipe në Beograd, ka punuar një kohe në universitet. Ndërkaq, sot ajo edhe përkthen libra”, komenton mes tjerash Repiq.
Gjatë intervistës, vetë Danica thotë se rastësisht iu qas shqipes, duke qenë se është nga Jagodina, qytet ky në juglindje të Serbisë. “Pastaj… rashë në dashuri me shqipen. Kam pasur përvojën shumë të mirë, nëpërmjet gjuhës jam njohur me shumë njerëz të mirë edhe kam pasur përvoja të ndryshme. Mund të them që nuk pendohem që jam regjistruar për shqipen, edhe që e kam studiuar. Ndoshta për punë nuk kam pasur fat, në atë kuptim që të punësohem si profesoreshë, por ndihem mirë edhe kështu. Tani e kam si hobi dhe ende kam interesim. Lexoj shqip dhe shikoj filma e dëgjoj muzikë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të mësosh një gjuhë sepse, kur përdorim gjuhën angleze, sikur jemi të humbur në përkthim dhe nuk mund ta ndjejmë anën tjetër. Ne në fakt adoptojmë një rrëfim dhe nuk kemi mendimin tonë, nuk i kemi ato përvoja se si mendon realisht fqinji ynë. Është me të vërtet një mund të them edhe nder, përparësi që jam një hap përpara njerëzve të tjerë që nuk flasin shqipen. Mund të mësoj nga kultura tjetër shumë”, thotë mes tjerash për RTK-në, Danica Vasileviq, profesoreshë e gjuhës shqipe.
Studiuesit e gjuhës shqipe tregojnë se mësimi i gjuhës nuk është vetëm transmetim i informacionit por, mbi të gjitha, është një kuptim i thellë i fatit të njerëzve që e ndihmon në tejkalimin e pengesave politike. Për ta afruar gjuhën serbe me atë shqipe, me qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, është nisur versioni digjital i fjalorit “Vokap”. Studiuesit thonë se mësimi i gjuhës është një hap drejt kuptimit më të mirë të të dy popujve.