Samidin Xheladini, anëtari më aktiv në Kuvendit e Dragashit!

samidin xheladini kuvendiDragash 28 janar 2015 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin”, i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 27 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Dragashit dhe subjekteve politike, të përfaqësuara në këtë kuvend, për periudhën Korrik-Dhjetor 2014.
Sipas kësaj analize, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë, janë Samidin Xheladini (LDK), me 11.8%, Nexhat Isufi (BD), me 11.3% dhe Kapllan Fetahu (LDK), me 9%. Ndërkaq, anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultatet në të gjitha kategoritë dhe janë vlerësuar me 0%, janë Ymridin Fetahu (PDK), Shqipe Halili (LDK), Melisa Shola (CDU) dhe Mersiha Memishi (CDU).
Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit janë ngritur gjithsej 253 çështje, prej të cilave 72% nga fushat me interes për qytetarët dhe 28% e çështjeve të iniciuara, kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.
Sipas KDI-së, anëtarët e LDK-së prijnë edhe për nga inicimi i çështjeve, me gjithsej 38.3%, të pasuar nga anëtarët e VAKAT dhe  PDK-së, me nga 15.4 përkatësisht 12.3% të çështjeve të iniciuara.
Sa i përket pyetjeve të bëra nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit, drejtuar ekzekutivit komunal, në këtë periudhë janë bërë gjithsej 64 pyetje, prej të cilave 67% nga fushat me interes për qytetarët dhe 33% e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.
Anëtarët e LDK-së në Kuvendin e Komunës së Dragashit prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe, me gjithsej 32.8% të pasuar nga BD-ja, me 21.9% të pyetjeve të përgjithshme. Në parashtrimin e pyetjeve, anëtarë më aktiv kanë qenë, Nexhat Isufi (BD), me 21.9%, Samidin Xheladini (LDK) dhe Zaim Hajredini (AKR), me nga 9.4% të pyetjeve të përgjithshme. Në mbledhjet e mbajtura të Kuvendit të Komunës së Dragashit, gjatë periudhës korrik-dhjetor 2014, legjislativi ka shqyrtuar vetëm Rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2015, ku krahas kësaj, Velid Hadzisin nga (VAKAT), ishte anëtari i vetëm që ka propozuar inicimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave.
Gjatë  seancave të mbajtura në këtë periudhë, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit treguan nivel të lartë të kulturës parlamentare, duke mos përdorur në asnjë rast gjuhë, e cila do të ishte fyese për ndonjë anëtar tjetër të këtij institucioni.
Ky Fletënotim është përgatitur nga KDI, në kuadër të projektit “Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë”, projekt ky i mbështetur nga “The Olof Palme Centre”, me qëllim informimin e paanshëm dhe objektiv të qytetarëve rreth punës së të zgjedhurve të tyre në seancat e Kuvendit të Komunës së Dragashit, bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Leave a Reply