Në Dragash qëndruan krerët e organizatave të dala nga lufta!

Në Dragash qëndruan krerët e organizatave të dala nga lufta!

Dragash, 02 maj 2025 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në takim përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Hysni Gucatin – kryetar i OVL të UÇK-së, Xhavit Jasharin – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, si dhe Fadil Shurdhajn – kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, të cilët shoqëroheshin edhe nga krerët e OVL të UÇK-së në Dragash.
Fillimisht, kryetari Xheladini i falënderoi mysafirët për vizitën, duke ua bërë me dije se Komuna e Dragashit ka qenë çdo herë në përkrahje të organizatave dhe kategorive të dala nga lufta, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me OVL të UÇK-së në Dragash.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta shprehën mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin, me theks të veçantë për gatishmërinë e Komunës së Dragashit për të ndëmarrë hapa konkret për ndalimin e koncertit “AROG FEST”, të paralajmëruar të mbahej në të njëjtën datë kur shënohet edhe Dita e Dëshmorëve, duke respektuar kështu ndjeshmërinë kombëtare, sakrificën e popullit të Kosovës dhe vlerat e lirisë.
Në takim u diskutua edhe për vendimin e Kuvendit të Komunës së Dragashit për miratimin e Kërkesës së OVL të UÇK-së për ndërrimin e datës së çlirimit të Komunës së Dragashit, nga data 15 në 12 qershor.
Gjithashtu, në këtë takim palët u dakorduan për bashkërendimin e veprimeve për ofrimin e ndihmës së përbashkët për ndërtimin e shtëpisë së një veterani të luftës së UÇK-së nga Komuna e Dragashit, i cili ndodhet në një gjendje të vështirë ekonomike.