Shfrytëzoje armën tënde më të fuqishme – Voto!

beqir-beqaj-opinionNga: Beqir BEQAJ


Është lehtë të shkruash një koment kundër atij apo këtij politikani, kundër kësaj apo asaj qeverie, kundër asaj apo kësaj partie, kundër “atyre të këqijve” ose pro “atyre të mirëve”.
Është relativisht e lehtë të parashikosh se si do të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë. Por, është shumë e vështirë kur të shpallen rezultatet dhe të marrësh vesh, se nuk ka fituar favorizuesi yt, apo ti vet.
Kritikët ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë, apo edhe ndaj atyre që nuk i duan në politikë, skeptikët ndaj një të ardhmeje më të ndritur pas këtyre zgjedhjeve, ata që mendojnë se vetëm mendimi i tyre është i drejtë, është koha që të pajtohen me rregullat e demokracisë dhe fuqinë e shumicës. Të tillët duhet të pajtohen se, verdikti i shumicës është “Amin” edhe për ata dhe duhet të pajtohen me të. Votuesi potencial duhet të ndihet fitimtarë, vetëm nëse merr pjesë në zgjedhje, pavarësisht nëse i preferuari i tij fiton apo jo. Fitimtar, për faktin se ai e kreu obligimin qytetar me kontributin e tij ndaj shtetit, në përzgjedhjen e udhëheqësve të shtetit.
Me shumë gjasa, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e lart në praktikë, por e ulët në teori. Kjo, sepse janë shumë faktorë që e japin përqindjen e gabuar zyrtare, siç është figurimi i të vdekurve në listat e votuesve, mërgata që kap një shifër të lart etj. Me siguri që do të kemi një shifër zyrtare rreth 50 përqind të pjesëmarrësve në votim. Por, në praktikë do të jetë shumëfish me e lartë kjo përqindje, pasi ata që vërtetë banojnë në Kosovë, do ta japin votën e tyre. Prandaj, ne duhet të mburremi me përqindjen e votuesve që tregon se interesimi për Kosovën dhe për demokracinë është i lart.
 
Nëse kujtojmë të kaluarën – Ardhmëria do të jetë më e ndritur

Kosova ka një përvojë të përbashkët për secilin banor të saj. Shekuj të tërë u përballuam me sakrifica dhe me luftëra të tmerrshme. Me sundime të lloj-llojshme, për të përfunduar me luftën e vitit 1999, pas së cilës filluam ta marrim pak nga pakë fatin në duart tona.
Sot, jemi shumëfish më mirë seç ishim dje, pavarësisht se e dimë që jemi shumë me keq seç do të jemi nesër. Prandaj duhet të votojmë, që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Natyrisht që sytë duhet kthyer nga e ardhmja, por nuk duhet harruar drithërimat e së kaluarës. Kasaphanat e luftës së para ca vjetësh. Kujtojmë luftën e ndyrë, kur erdhëm në pikën kulminante, duke na mbetur si pasuri e vetme vetëm shpirti. Po tani? Përse nuk po dimë ta gëzojmë paqen? Përse nuk e shfrytëzojmë të drejtën tonë për t’i kontribuar paqes, ani pse jo gjithmonë me sukses. Mos të harrojmë se, nëse në të gjithë botën konfliktet do të zgjidheshin, sikurse në Kosovë, me shpejtësinë siç u veprua në Kosovë, e gjithë bota do ta kishte më pranë ëndrrën e paqes së përjetshme. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për ndryshimet që kemi përjetuar në Kosovë – në politikë, në ekonomi, në kulturë dhe në vet mentalitetin e shoqërisë. Sot, në Kosovë mund të jetosh si shqiptar, serb, turk, rom, anglez ose holandez e megjithatë, të mos kesh probleme. Sot, në Kosovë mund të jetosh i lirë, në paqe dhe në siguri. Prandaj ia vlen të shkosh tek kutia e votimit dhe të japësh votën tënde, të votosh për Kosovën. Dhe, pas kësaj, mund t’i kritikosh ata që do të zgjidhen për të na udhëhequr – në këtë rast me të drejtë.
Kosova është më e madhe se individi, partia apo edhe çështja personale. Të mësohemi që të mendojmë për gjërat e mëdha, sepse vetëm ashtu i realizojmë më lehtë gjërat e vogla dhe ato tejet të vogla.

Leave a Reply