Iku nga kjo botë Halil Halili, një mësues shembull!

Iku nga kjo botë Halil Halili, një mësues shembull!

Dragash, 26 dhjetor 2023 – Në moshën 70 vjeçare, në Hanover të Gjermanisë, ka ndërruar jetë, ish-mësuesi shembull në SHFMU “Sezai Surroi” në Bellobrad, Halil Halili, nga fshati Brrut.
Ata që e kishin mësues do ta mbajnë në mend si një mësues të përgatitur, të dashur dhe të përkushtuar profesionalisht.
Përveç angazhimit të tij në shkollë, mësuesi Halil njihej edhe si aktivist dhe veprimtar i çështjes kombëtare, ndërkaq në shkollë, përveç si mësimdhënës, njihej edhe si instrumentist i dalluar, mjeshtër i violinës dhe harmonikës. Si i tillë, mori pjesë në shumë gara e festivale me Shoqërinë Kulturore Artistike “Sezai Surroi” të Bellobradit dhe jo vetëm. Në aktivitetet e lira me nxënës, ai themeloi orkestrinën e mandolinave dhe atë të çiftelive në shkollë. Në aktivitet e tija, jashtë shkollës, Halili veçohej ndër të tjerash edhe si veprimtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Dragash. Pas pensionit, një pjesë të jetës, deri në amshim, e kaloi në Gjermani, ku edhe ndërroi jetë.