Goranët – Komunitet i vogël por me shpirt të madh!

libri goranet pesePrishtinë, 12 dhjetor 2013 – Një linjë melodike, e luajtur me kavall nga dy artistë goranë, vëllezërit Nail dhe Hasan Mushka, simbolizoi fillimin e programit, në tubimin promovues të librit “Goranët”, në Institutin Albanologjik, në Prishtinë. Duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, konferencieri në këtë tubim, Shaban Haxhia, i cili vjen nga Restelica e Gorës, tha se libri “Goranët”, brenda vetes përmban shumë të dhëna me vlerë që kanë të bëjnë me Gorën dhe goranët. “Në këtë libër flitet edhe për luftëtarë nga treva e Gorës që kanë dhënë kontribut të madh në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Shumë prej tyre edhe e kanë dhënë jetën për çlirimin e Kosovës, sepse Kosovën e konsideronin si vatan të vet”, tha në hapjen e promovimit, Shaban Haxhia, duke i përmendur disa prej personaliteteve nga kjo trevë, si Nail Hysenin – Dana, Mulla Rasim Zapodin, Arif Krushën, Eshref Krushën, Murat Adem Muratin, Rrahman Ali Muratin, Qamil Mehmet Beqën, Maksut Rexhep Fetishin, Ibrahim Shahin Lleshin, Fetish Asllan Beqën, Ymer Matajn, Xhafer Ollomanin, Maksut Rexhepin dhe shumë personalitete të tjera nga Gora, për të cilët është shkruar në librin që u promovua sot, pa i anashkaluar edhe masakrat serbe, të cilat janë kryer në trevën e Gorës, gjatë viteve 1912-1913 dhe më pas.
Në shenjë nderimi për jetën e të gjithë këtyre luftëtarëve dhe martirëve nga Gora, në sallën e Institutit Albanologjik u mbajt një minutë heshtje. Të pranishmëve iu drejtua edhe dr. Sadik Idrizi, i cili në këtë libër është prezantuar me disa punime, por edhe si recensent i librit. Pastaj foli edhe prorektori dhe ligjëruesi në Universitetin “Hasan Prishtina”, dr. Nuri Behxheti, i cili e vlerësoi këtë libër. “Libri ‘Goranët’, nën përkujdesjen e publicistit dhe veprimtarit, Bedri Halimi, vjen në kohën, kur shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime dhe progres të madh në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, sociale e sidomos në relacionet ndëretnike, trembëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë, që tashmë është shtet. Është më shumë se guxim, të shkruash për mikrohistori të rajoneve të vogla, për oaza etnike dhe shumëreligjioze, të vendosura në detin e madh etnik shumëngjyrësh të Ballkanit”, tha ndër tjerash Behxheti, për të shtuar se ky libër pasqyron një rajon shumë interesant, të një komuniteti me substrakt parasllav, i cili me shekuj jeton në mes të detit të madh shqiptar, me të cilin ndan shumëçka nga jeta e përbashkët, si në mentalitet, folklor dhe histori, por që në gjuhë janë të ndryshëm. “Këtij komuniteti shpirtmadh, gjeografia ia ka caktuar vendin, aty ku është perla më e bukur e Maleve të Sharrit. Të shtrirë në nëntëmbëdhjetë fshatra në Kosovë, nëntë në Shqipëri dhe dy fshatra në Maqedoni, mbi Bogovinë të Tetovës, këta malësorë dhe blegtorë të vyeshëm kanë ndarë shumëçka me shqiptarët dhe popujt tjerë në këto pllaja të Ballkanit Perëndimor, qoftë kur kanë shtegtuar si blegtorë, drejt fushave të Selanikut apo edhe rrugëtimit drejtë kurbetit, në kohët më të reja. Kontributi i tyre, krahas shqiptarëve, që nga Lidhja e Prizrenit e këndej, është një gur i çmueshëm në historinë e tyre dhe të shqiptarëve, sidomos të atyre të Veriut. Libri që paraqitet këtu, krahas punimeve, sidomos në sferën gjeografike dhe linguistike, merr peshë në fushën e folklorit dhe riteve, përmes të cilave shfaqet shpirti dhe madhështia e këtij komuniteti fisnik, i cili bëri emër gjithandej ish-Jugosllavisë, si komunitet punëtorë dhe zanatçinj të vyeshëm”, tha Behxheti.
Në vazhdim të këtij tubimi promovues, vëllezërit Nail e Hasan Mushka, nga Restelica, të veshur me rroba tradicionale, kënduan dy këngë; një këngë kurbeti në gjuhën gorane dhe një tjetër këngë në gjuhën shqipe, me titullin “Vijnë pampurat”, ku me një rresht nga kjo këngë “ishalla vjen naj devër tjetër”, duke e komentuar se “ky dever për Gorën dhe popullin e saj, erdhi me çlirimin e Kosovës”, konferencieri Shaban Haxhia i ftoi në skenë. Më pas, recensenti i tretë i këtij libri, intelektuali nga Opoja, dr. Xhevat Hasani, në pamundësi që të vinte nga Zvicra në këtë prpmovim, kishte dërguar një telegram përshëndetës, të cilin e lexoi, Mr. Nuridin Ahmeti, punëtor shkencor në Institutin Albanologjik.
Në promovimin e këtij libri prezantoi edhe, Adem Demaçi, të cilin konferencieri goran e prezantoi si, Baca Adem. Ky i fundit, në fjalimin e tij, mes tjerash foli për gjenezën ilire të goranëve, si dhe për lirinë dhe humanitetin që treguan shqiptarët ndaj tyre. Në fund, përpiluesi i librit “Goranët”, Bedri Halimi, tha se ky libër sjell të dhëna që dëshmojnë të kundërtën e asaj që Serbia mundohet ta promovoj për këtë komunitet të vogël. “Libri nuk ka karakter kundër Serbisë, por synon ta thotë të vërtetën për një popull që jeton në skajin më jugor të Kosovës”, tha Halimi, duke shtuar se në këtë libër ka 18 punime, nga të cilët 7 janë nga treva e Gorës. Halimi sugjeroi që me Gorën të merren më shumë institucionet tona shkencore, për ta zbardhur të vërtetën. “Duhet punuar më shumë në këtë drejtim dhe jo të lejojmë që e vërteta të mbetet peng në dorën e qarqeve të caktuara, të cilat të vërtetën e kanë instrumentalizuar për qëllime të tyre. Nga Beogradi, 84 punonjës shkencor e kanë vizituar Gorën, kurse nga intelektualët tanë janë shumë të pakët atë që u interesuan për këtë rajo”, tha Halimi. Botimin e librit “Goranët” e ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Leave a Reply