Filloi festivali “Opoja Vallëzon” – Nga viti i ardhshëm me karakter ballkanik!

Filloi festivali “Opoja Vallëzon” – Nga viti i ardhshëm me karakter ballkanik!

Dragash, 11 korrik 2022 – Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, në prag të edicionit të katërt të Festivalit tradicional “Opoja Vallëzon”, i cili ka filluar të dielën dhe do të vazhdoje deri të martën, ka pritur në takim anëtarët e jurisë e përbërë nga prof. Dr. Ukë Xhema, etnolog, Dilaver Kryeziu, koreograf dhe Sami Piraj, profesor i muzikës. Në takim ishin prezent edhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Liridona Misinaj, si dhe drejtori i Festivalit, Fesal Shaqiri.
Pasi iu prezantoi zhvillimet e fundit në komunën e Dragashit, kryetari Xheladini foli për rëndësinë e këtij festivali, për të cilin tha se po shërben në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të kësaj zone rurale, siç është Opoja. Ai shprehu interesim të madh për ta bërë Festivalin një ngjarje të përhershme kulturore. duke u fokusuar në karakteristikat e lojërave, ritualeve dhe formave të tjera të trashëgimisë kulturore. Xheladini ka shprehur interesim që Festivali “Opoja Vallëzon” të hap dyert edhe për pjesëmarrësit nga Ballkani, siç tha, që nga viti i ardhshëm. “Ky zgjerim kërkon mendimin edhe të ekspertëve, sikurse që është profesori, Ukë Xhema, si njëri ndër njohësit më të mirë të etnologjisë dhe traditave të rajonit. Ky i fundit u fokusua në specifikat e kësaj zone shumë të pasur etno-kulturore, duke elaboruar përvojën e deritanishme të tij, përmes ekspeditave të ndryshme. Xhema potencoi se ky rajon i ka ruajtur aq mirë specifikat e zonës, saqë edhe sot kjo temë është objekt i studimeve të ekspertëve të institucioneve folklorike në shumë shtete evropiane.
Në fushën e traditës së lojërave autoktone, koreografi i vallëzimit, Dilaver Kryeziu, theksoi përvojën e tij të pjesëmarrjes në kërcime dhe rituale opojanë në shumë festivale vendore dhe ndërkombëtare. “Interesimi i njohësve të kësaj zone për lojën, kostumin dhe gjithçka që e bën të bukur këtë traditë kulturore, i jep një shans të madh zgjerimit të këtij festivali në gjeografinë ballkanike”, tha Kryeziu.
Mbështetje të ngjashme në aspektin e frymës autentike muzikore, u dha edhe nga profesori, Sami Piraj, i cili shprehu besimin e tij se njohësit e traditës do të jenë dëshmitarë të studimit të vazhdueshëm të frymëzimeve të të gjitha pikave etnokulturore.
Duke e vlerësuar takimin, kryetari Xheladini premtoi se, nga viti i ardhshëm, do të bëhen plane përgatitore për statusin e avancuar të formatit të festivalit “Opoja vallëzon”, duke e avancuar në nivelin ballkanik, me synim kontributin në njohjen edhe më të gjerë të kësaj zone.