Dragashi ende pa energji elektrike – U bënë 12 orë!

dragash komuna kedsDragash, 18 qershor 2014 – Që kur kanë ikur dritat, mbrëmë rreth orës 24, Dragashi ende ballafaqohet me mungesën e energjisë elektrike. Përfaqësuesit e KEDS-it i kanë thënë Radio SHARRI-t, se shkak i mungesës së energjisë është një defekt serioz, për të cilin ekipet e KEDS-it po mundohen ta riparojnë. “Mungesa e energjisë është pasojë e një defekti në largpërquesin 35 kilovoltësh dhe ekipet tona ndodhen në terren, duke u munduar që sa më parë ta sanojnë këtë prishje”, ka thënë për Radio SHARRI-n një zyrtar i kësaj kompanie, e cila merret me shpërndarjen dhe distribuimin e energjisë elektrike. Aktualisht (ora 11:45), komuna e Dragashit po ballafaqohet me mungesën e energjisë elektrike, e cila i ka revoltuar, jo vetëm afaristët, të cilët i kanë aktivizuar gjeneratorët, por edhe amvisëritë. Këto të fundit, në mungesë të gjeneratorëve, po frikësohen se rezervat ushqimore në frigoriferë, tashmë mund të jenë prishur.