Dorëzohet Karaxhiqi – Nuk mund më ta ndalojmë Kosovën!

vokrri karaxhiq blaterBeograd, 13 shkurt 2014 – Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll, më 5 mars do të luajë miqësoren e parë në historinë e saj, me përfaqësuesen e Haitit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ky lajm duket se i ka “goditur” mediat në Serbi, të cilat assesi nuk po arrijnë të pajtohen me realitetin që futbolli kosovar, përfundimisht po e thyen izolimin shumëvjeçar.
Ato kanë kontaktuar kreun e Federatës serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiq, nga i cili kanë kërkuar sqarime, se përse nuk ka arritur ta parandaloj Kosovën që të luaj ndeshje ndërkombëtare.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq, ua ka pranuar mediave serbe, se Federata që ai drejton nuk mund të bëjë më asgjë për ta penguar Kosovën që të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare. “Ky është vendim i FIFA-s dhe, është në përputhje me rekomandimet e qeverisë sonë. Kjo tashmë është një çështje e përfunduar. Nuk mund të bëjmë asgjë”, ka thënë Karaxhiq.
Në pyetjen e gazetarëve serbë, nëse ai do ta përcjellë këtë ndeshje, numri një i futbollit të Serbisë është përgjigjur negativisht, duke e konsideruar këtë veprim si anormal.
“Diçka e tillë, as që më shkon ndërmend. As ata nuk do të më thirrin por as unë nuk do të shkojë. Edhe nëse më thirrin, mendoj se kjo nuk ka kuptim. Dihet se cilat janë raportet tona me të ashtuquajturën Federatë e Futbollit e Kosovës”, ka thënë Karaxhiq.

Leave a Reply