Antropologia amerikane është interesuar të japë kontribut në Dragash

Antropologia amerikane është interesuar të japë kontribut në Dragash

Dragash, 01 gusht 2023 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti në takim përshëndetës antropologen amerikane, Janet Reineck, me të cilën biseduan për përshtypjet e saj dhe të grupit të turistëve nga SHBA-ja, të cilët iu bashkëngjitën turnit “Etno-Turin” në Kosovë.
Renieck u shpreh thellësisht falënderuese për mikpritjen që iu bë asaj në trevën e Opojës, përshtypjet e mira dhe përvojat pozitive që ka pasur gjatë qëndrimit në këtë trevë, si mysafire në disa dasma opojane, bashkë me turistët tjerë nga Amerika. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen e saj për shpalljen “Qytetare Nderi” e Dragashit dhe vlerësoi lartë organizimin dhe mbarëvajtjen e edicionit të pestë të Festivalit Folklorik Burimor “Opoja Vallëzon”, ku morën pjesë shoqëri të ndryshme kulturo-artistike nga shtetet e Ballkanit dhe më gjerë.
Antropologia, Janet Reineck, theksoi se është e interesuar që vitin e ardhshëm të vijë në Kosovë për të dhënë kontributin e saj dhe ndihmën për qytetarët e komunës së Dragashit, duke organizuar kurse të gjuhës angleze dhe aktivitete të ndryshme që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të banorëve të Dragashit.
Nga ana tjetër, kryetari Xheladini e falënderoi zonjën Reineck për vizitën e saj në Kosovë, veçmas në Dragash, duke i dhuruar një punim dore nga Këndi i Kurajës që, kohë më parë, është hapur në objektin e Komunës së Dragashit.