Sulmohet përfaqësuesi i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

Sulmohet përfaqësuesi i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

Shkup, 05 mars 2018 – Themeluesi i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, Branko Sinadinovski, është sulmuar sot fizikisht nga dy persona të panjohur, në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku banon Sinadinovski. Ai ka pësuar lëndime, ndërsa policia thotë se po e heton rastin, por nuk ka dhënë më shumë hollësi për motivet e ngjarjes së dhunshme.
Sinadinovski ka qenë diplomat në vendet e Lindjes, ndërsa aktualisht është i angazhuar si profesor universiteti. Ai është ndër të paktët që kanë deklaruar publikisht origjinën e tyre shqiptare ortodokse, gjë që në Maqedoni shikohet si tabu dhe me mosbesim. Megjithatë, në rajonin e Rekës, pranë Dibrës dhe Mavrovës, në perëndim të Maqedonisë, vazhdojnë të jetojnë shqiptarët e besimit ortodoks, që kohëve të fundit po ballafaqohen me asimilimin. Kështu thonë historianët shqiptarë, ndërkohë që as autoritetet shtetërore dhe as ato kishtare maqedonase, nuk pranojnë ekzistencën e këtij komuniteti, transmetonë – Zëri i Amerikës.