Dragash, 27 korrik 2014 – Mbrëmjen e së shtunës, policia e Dragashit ishte në alarm, por që banorët nuk dinin gjë se çfarë po ndodhte. Vetëm mëngjesin e së dielës është marrë vesh se në fshatin Orçushë të Gorës kishte ndodhur një dukuri, e cila në këto anë ishte e panjohur. Behej fjalë për dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë kërcënuar banorët e këtij fshati të vogël të Dragashit.
Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, njoftoi sot se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 23:00, por pa pasoja në njerëz. “Sipas hetimeve fillestare nga vendi i ngjarjes, është kuptuar se dy persona me maska në kokë dhe të armatosur, njëri me Kallashnikov dhe tjetri me thikë, në gjuhën gorane kanë kërkuar para nga disa persona që po rrinin të ulur në një hapësirë publike të fshatit. Madje, për t’i frikësuar, ata kanë shtënë me armë në drejtim të panjohur.
Krismat kanë alarmuar banorët e fshatit, të cilët janë mbledhur me shpejtësi tek vendi i ngjarjes dhe personat e maskuar kanë ikur në drejtim të panjohur. Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja të Kallashnikovit. Për hetimin e këtij rasti, drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka kontaktuar edhe me autoritet policore të Shqipërisë, ndërsa sot është zhvilluar një takim i përbashkët mes dy policive. Në këtë takim është vendosur që, duke filluar nga sot, të zhvillohen patrullime të përbashkëta dhe të shkëmbehen informacione në baza ditore, pasi ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e maskuar mund të jenë banorë të fshatrave matanë kufirit”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit Berisha.
Banorët e këtij fshati, në shenjë revolte, kanë protestuar sot tek vendkalimi kufitar, afër fshatit të tyre. Ndërkaq, policia e Dragashit është zotuar se do të zhvilloj hetime në territorin e komunës së Dragashit, pasi aktualisht nuk dihet se kush mund të kenë qenë autorët e këtij veprimi kriminal.