Dy të vdekur dhe disa të lënduar, pas shpërthimit në Obiliq!

shperthimi termoelektrana kosovaObiliq, 06 qershor 2014 – Ka ndërruar jetë edhe një person, si pasoj e lëndimeve të marra nga eksplodimi që ndodhi sot në Termocentralin “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës. Vdekja e konfirmuar së fundmi, e qon në dy numrin e personave që kanë humbur jetën në këtë tragjedi. Më herët është gjetur edhe një person në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili është shpënë me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare për trajtimin mjekësor.
Pjesëtarë të njësitit për Kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur që rreth orës 15:30 ta nxjerrin një person të pajetë nga vendi i fatkeqësisë, disa orë pas shpërthimit të bombolës së hidrogjenit, në Repartin e Elektrolizës të Termocentralit “Kosova A”, të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërkohë që po vazhdon kërkimi për personin e tretë, i cili është shpallur i zhdukur.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar njësitet operacionale të saj në këtë fatkeqësi, ku deri më tani janë angazhuar në operacion 65 pjesëtarë. Fillimisht, Kompania e Mbrojtjes Kimiko-Atomike dhe Biologjike e Regjimentit të Mbojtjes Civile (RMC) të FSK-së ka bërë vlerësimin profesional të situatës në zonën e shperthimit, ku ka vlerësuar se nuk ka rrjedhje të metutjeshme dhe se nuk ka rrezik për ndonjë shperthim tjetër eventual. Këtë vlerësim e kanë konfirmuar bashkërisht edhe ekspertët e Policisë së Kosovës dhe ata të KEK-ut.
Pas vlerësimit të situatës në zonën e incidentit, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar Kompaninë e Kërkim-Shpetimit, përkatësisht togun e kërkim Shpetimit urban, i cili është në proces të kërkimit për personat që kanë mbetur në lokacionin e fatkeqësisë, që nga momenti kur ka ndodhur incidenti.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka marë të gjitha masat dhe është e angazhuar maksimalisht në operacion, përderisa gjendja e gatishmërisë vazhdon në të gjitha efektivat e FSK-së.