Dragash, 07 nëntor 2025 – Në përmbyllje të fushatës së balotazhit, për ta mbështetur kryetarin aktual të Dragashit, kandidatin e LDK-së për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, Bexhet Xheladinin, sot i erdhi edhe kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar edhe nga bashkëpartiakët deputetë, në mesin e të cilëve edhe Armend Zemaj, të cilët për disa orë qëndruan në këtë komunë, ku u pritën me ngrohtësi nga drejtuesit e degës së LDK-së. “Me kryetarin aktual, padyshim edhe të ardhshmin e kësaj komune fisnike, Dr. Bexhet Xheladinin, kaluam gjithë paraditën bashkë. Mes njerëzve punëtorë që mbajnë shtëpi e familje, qytetarët tanë që e bëjnë këtë Kosovë. Në Dragash, isha veçanërisht i interesuar të vizitoj një projekt të jashtëzakonshëm kapital që më kishte rënë në sy në çdo vizitë këtu, e që kryetari ynë e kishte nisur dhe përfunduar pa ndihmën e askujt; Fabrikën e ujit. Me kapacitet prej 5 milionë litrash në 24 orë, plot 15 fshatra dhe vetë qyteti i Dragashit, për herë të parë në gjithë historinë e tyre, kanë ujë të pijshëm. Kur 25 mijë banorëve u zgjidhet problemi kryesor me një projekt të tillë, e kupton se sa fisnike di të jetë jeta në politikë. Të lumtë, Doktor, për këtë angazhim. Kështu i shërbejmë vendit, qytetarëve dhe qyteteve tona. Natyrisht, kur je në komunën e Dragashit, saktësisht në Bellobrad, nuk mund të kalosh pa pirë ujë Opoje nga kroi i fshatit, buzë xhamisë. Legjenda thotë se kushdo që ka pirë ujë nga ky krua, do të zhvendoset e do të jetojë në Opojë. Për sot, u kthyem në Prishtinë. Le të fitojmë këtë të diel në Dragash”, ka shkruar Abdixhiku, pasi është larguar nga Dragashi, duke qenë i bindur se zgjedhja është e qartë; Bexhet Xheladini edhe katër vjet do të qeverisë me Dragashin.

