Dragash, 13 tetor 2025 – Ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit të votave në Dragash, përjashtuar atyre nga diaspora, votave me kusht dhe të tjera votave që tashmë dihet se kërkojnë kohë për tu numëruar.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, kryetari aktual, Bexhet Xheladini nga LDK-ja, kryeson me 5 mijë e 435 vota ose 43.98%, pasuar nga Shaban Shabani i PDK-së me 3 mijë e 507 vota, ose 28.38%. Ndërkaq, Filiz Mustafa nga VV-ja ka marrë 2 mijë e 79 vota, ose 16.82%.
Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar edhe rezultatet preliminare për Kuvendet komunale, vetëm votat e rregullta të hedhura në vendvotime, ndërsa ende mungojnë votat me kusht, votat me postë dhe ato të personave me aftësi të kufizuara. Këto kategori votash janë në proces të veçantë verifikimi dhe numërimi, dhe se mund të ndikojnë në rezultatet përfundimtare të subjekteve politike dhe shpërndarjen e mandateve.
Sa i përketë përbërjes së Kuvendit të Komunës së Dragashit, kryeson LDK-ja me 33.29%, pasuar nga PDK-ja me 28.49%, VV-ja me 15.59%, JGP me 10.54%, SDU me 5.33% dhe Vakat me 4.57%.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot fillon numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendet komunale në të gjitha komunat e vendit. “Numërimi do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), sipas orareve të ndryshme. Në disa komuna, procesi do të nisë në orën 12:00, ndërsa në të tjera në orën 16:00”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.