Magjistrales Zhur – Dragash po i vendosen vijat, por…

Magjistrales Zhur – Dragash po i vendosen vijat, por…

Dragash, 04 tetor 2024 – Kompanitë transportuese, si ato nga fusha e ndërtimtarisë ashtu edhe ato për transportin e udhëtarëve, kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë magjistralen, Zhur – Dragash, në shenj proteste për, siç thonë, zhgarravitjen e kësaj udhe. “Kjo që po bëhet, nuk është si. njalistikë por vetëm zhgarravitje që çon direkt në aksidente, si dhe iu jep të drejtë policisë për ta ndëshkuar secilin që nuk i respekton këto zhgarravina”, tha për redaksinë tonë njëri nga iniciatorët e kësaj proteste, e cila pritet të organizohet këto ditë.
Në fakt, një kompani që ka nisur vendosjen e sinjalistikës horizontale të kësaj udhe magjistrale, e paraparë që të jetë me tri korsi, thotë se e ka një projekt dhe do ta kryej sipas tij.
Në fakt, që në fillim të punimeve, ata që i njohin shenjat e trafikut po i shohin defektet, sidomos nëpër udhëkryqet më të mëdha, duke filluar në fshatin Zhur, ku edhe fillon kjo udhë deri tek udhëkryqet në Trokan dhe tek Tyrbja e Plavës. Por, të parët kanë reaguar pronarët e kamionëve dhe autobusëve, të cilët thonë se kanë drejtues profesionistë, prandaj po i kundërshtojnë këto zhgarravina. “Si mund të orientohemi nëpër udhëkryqe, ku nuk janë të vijëzuara korsitë, ashtu siç duhej të ishin. Pastaj, si do të orientohemi, kur në disa pjesë lejohet shfrytëzimi i korsisë së mesit për tejkalim nga dy anët? Kjo do të çojë direkt në aksidente”, thotë një tjetër shofer, duke pohuar se ka përshkuar shumë shtete,por askund nuk ka hasur në të tilla tollovi me vijat ndarëse.
Redaksia jonë ka kontakuar në terren me punëkryesit, duke i paralajmëruar për protestën që pritet të ndodhë. Por, njëri nga punëtorët, pikërisht makinisti që po i ravijëzonte korsitë, ka reaguar ashpër, duke u shpresur se askush nuk mund t’i përzihet në punët e tij. Madje, ai ishte në gjendje që t’i “qëronte hesapet” edhe fizikisht me gazetarin, duke e paralajmëruar që mos të dukej atypari. “Ik nga këtu dhe, mos të të shohë më këtu. Nuk ju intereson se çfarë bëjmë ne. Shikojeni punën tuaj dhe jo tonën. Nuk ma nin a je gazetar a çfarë je”, u shpreh mes tjerash makinisti.
Falë intervenimit korrekt nga punëtorët tjerë, është parandaluar një përleshje fizike mes këtij makinisti dhe gazetarit tonë.