Dragash, 16 dhjetor 2023 – Reshjet e dendura të borës, të përcjella edhe me erë në komunën e Dragashit, kanë shkaktuar probleme në rrjetin elektrik. Për këtë, shumë banorë po e shprehin revoltën e tyre përmes rrjeteve sociale, duke mos i përjashtuar edhe protestat.
Fshati Plavë, siç pohojnë banorët, rreth 20 orë është pa energji. “Na u promovuan klimat ekonomike, ku shumë shtëpi i kanë instaluar ato. Tani që nuk kemi energji, rezulton se kemi investuar kot”, është shprehur një banor i këtij fshati. Edhe në fshatin Zgatar të kësaj komune, banorët i kanë fotografuar dy shtylla elektrike, të cilat pothuajse nuk janë rrëzuar përtokë. Ata kanë kërkuar nga KEDS-i që të intervenojë sa më parë.
Pas këtyre pamjeve, ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Behxhet Xheladini, i cili ka apeluar tek kompania përgjegjëse që të intervenojë urgjentisht. “KEDS-i urgjentisht të bëjë ndërrimin e shtyllave në fshatin Zgatar të Dragashit”, ka shkruar kryetari Xheladini në profilin e tij në Facebook, duke dhënë më pas edhe sqarime rreth pastrimit të udhëve nga bora. “Në terren janë katër borëpastrues, dy kontraktues individualë, disa pastrues vullnetarë, si dhe drejtori i Administratës Komunale, Vetim Ramadani. Pandërprerë ata po ballafaqohen me borën, tash e 16 orë. Prioritet janë udhët kryesore, pastaj do të merren edhe me rrugët e lagjeve”, ka njoftuar Xheladini, duke kërkuar mirëkuptim nga banorët, pasi bora po vazhdon të bie dhe po përcillet me frymë, gjë që po vështirëson pastrimin adekuat.