Komuna më e mirë për nga pagesa, mbetet në terr!

poqet elektrike drite terrDragash, 10 janar 2015 – Ndonëse është konfirmuar se komuna e Dragashit prin për nga pagesa e energjisë elektrike, megjithatë disa ditë rresht i ka munguar kjo energji me orë të tera. Saktësisht, të premten rreth 12 orë dhe të shtunën rreth 9 orë ka munguar energjia elektrike në këtë komunë.
Fillimisht thuhej se kjo mungesë ishte pasojë e një prishjeje në Prizren, por në një deklaratë nga KEDS-i mësohet se kishte rënë nga sistemi njëri nga blloqet e termocentralit. “Mbrëmë, rreth orës 22:00, ka rënë nga sistemi njësia B1 e Termocentralit Kosova B që menaxhohet nga KEK-u. Rënia e papritur e këtij blloku ka krijuar mungesë të menjëhershme të 260 megavat/orë energji elektrike”, thuhet në njoftim. Megjithatë, mbetet e pabesueshme kjo teori, pasi energjia elektrike në Dragash ishte ndërprerë të shtunën që në orën 15:00, gjithsej 7 orë para se të binte blloku në fjalë, për të cilin KEDS-i njofton se e kishte rënduar furnizimin me energji elektrike në vend.
Në vazhdim të njoftimit, KEDS-i i ka rikujtuar konsumatorët se importi i menjëhershme në rast të devijimit nga plani i furnizimit, nuk i takon dhe nuk është përgjegjësi e tyre por e Operatorit të Tregut (KOSTT). “KEDS, fillimisht ka nisur të importojë menjëherë 70 megavat/orë energji elektrike, por kjo sasi është e pamjaftueshme të mbulojë tërë kërkesën. Ndërkohë  KEDS ka nisur procedurat e importit shtesë dhe, me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga moti i keq, ka arritur të sigurojë importin shtesë që stabilizon furnizimin me energji. Megjithatë, të gjitha kompanitë e hallkës së sistemit energjetik të Kosovës janë të mobilizuara që situata të tilla të tejkalohen sa më lehtë dhe sa më shpejtë”, vazhdon komunikata, ku KEDS i falënderon të gjithë konsumatorët për mirëkuptimin e tyre, për mungesën e furnizimit me energji.

Leave a Reply