Vullnetarë nga Kosova, pastrojnë plazhet në Shqipëri!


velipoje_pastrimi_detiVelipojë, 05 korrik 2014 – Vullnetarë nga Kosova, gjithsejtë 26 të rinj maturantë, do të qëndrojnë në Shqipëri deri në fund të gushtit. Në plazhin e Velipojës, në zonën e Rrjollit, ata do të ofrojnë shërbime vullnetare në pastrimin e ambienteve turistike, pasi kanë konstatuar se kjo është më se e nevojshme. “Modeli i menaxhimit të plazheve në vendin tonë është i dështuar, prandaj nevojitet që vitin e ardhshëm të propozohet një model tjetër”, ka deklaruar drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, gjatë hapjes së kampit të vullnetarëve, ku ishte i pranishëm edhe zv-ministri i Zhvillimit urban dhe Turizmit, Alfred Dalipi. Ky i fundit tha se pastrimi i territorit bregdetar, është emergjencë kombëtare. “Përgjatë gjithë vijës bregdetare, këtë sezon turistik do të vendosen afro 10 kampe të tilla, të shpërndara në gjithë vijën bregdetare”, tha Dalipi, duke i falënderuar vullnetarët që kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në këtë aksion, sa praktik aq edhe senzibilizues.