Vdes kryetari i GIG-ut – Drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike

Vdes kryetari i GIG-ut – Drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike

Dragash, 29 shkurt 2020 – Sot në Beograd ka ndërruar jetë kryetari i Iniciativës Qytetare Gorane (GIG), Mursel Halili, i cili ishte edhe drejtor komunal për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Dragash. Lajmi është bërë i ditur, fillimisht nga familjarët për t’u shpërndarë më pas edhe nga partia që ai drejtonte dhe miqt e bashkëpunëtorët e tij. Halili kishte lindur në vitin 1968, në fshatin Glloboçicë. Kishte të kryer fakultetin juridik dhe drejtonte partinë gorane GIG. Ishte deputet i Kuvendit të Kosovës për dy mandate, në vendin e rezervuar për komunitetin goran, profesor gjimnazi dhe, së fundmi, ishte emëruar drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Komunën e Dragashit.
Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës, Shaban Shabani, duke iu shprehur ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve. “Në emër të të gjithë zyrtarëve komunal, drejtorëve dhe punonjësve tjerë komunal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halili, kolegët, miqtë dhe farefisin, me rastin e ndarjes nga jeta të Mursel Halilit”, thuhet mes tjerash në ngushëllimin e shprehur nga Shabani.
Kujtojmë se i ndjeri Halili është kryetari i dytë i GIG-ut, i cili ndërron jetë duke qenë në krye të këtij subjekti politik goran. Vite më parë, nga jeta ishte ndarë edhe themeluesi dhe kryetari i GIG-ut, Rystem Ibishi!