Të martën mbledhja e Kuvendit – Nuk diskutohet për shkritoren e kromit!

Të martën mbledhja e Kuvendit – Nuk diskutohet për shkritoren e kromit!

Dragash, 07 prill 2025 – Të martën zhvillon punimet Kuvendi i Komunës së Dragashit, ku fillimisht ishte paraparë që, në mesin e pikave të tjera të rendit të ditës, të shqyrtohej një kërkesë për dhënien në shfrytëzim të një parcele, tek Zona Industriale, në fshatin Shajne, për ndërtimin e një fabrike që do të përpunonte krom.
Kjo kërkesë ishte paraparë si pikë e shtatë e rendit të ditës, por që, me tu publikuar rendi i ditës, kishin vërshuar reagime të ashpra nga banorët e fshatit Shajne, më pas edhe nga subjektet politike, veçmas nga opozita, të cilat i dolën në mbështetje kërkesave të banorëve, që kjo gjë mos të ndodhë.
Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, ishte munduar të jep sqarime rreth levërdisë që do të kenë banorët e kësaj komunë të varfër, sidomos banorët e fshatit Shajne, në afërsi të të cilit fshat do të ndërtohej kjo shkritore e kromit. “Pas publikimit të rendit të ditës së asamblesë komunale, ku njëra nga pikat  është dhënia e përkrahjes për fillimin e procedurave administrative për përgatitjen e dokumentacionit për ndërtimin e fabrikës për shkrirjen e kromit, në rrjetet sociale dhe në forma të tjera, shpërthyen propaganda të ndryshme kundër këtij investimi, duke pretenduar se ai do të ndotë ambientin dhe do të dëmtojë shëndetin e popullatës. Unë, si kryetar i Komunës, dhe asambleistët jemi të zgjedhurit tuaj dhe me asnjë kusht nuk do të marrim vendime për asnjë lloj investimi që dëmton shëndetin tuaj dhe ndot ambientin. Ne do ta përkrahim vullnetin e qytetarëve të zonës”, ka shkruar Xheladini, duke ua përkujtuar banorëve edhe anën pozitive të këtij projekti, për të cilin tha se është një shans i mirë për këtë anë. “Ky investim pritet të kushtojë rreth 45 milion euro dhe do të punësojë 250 persona, paga e të cilëve do të jetë nga 2500 deri në 3500 euro. Fabrika do të furnizohet me ujë nga shpuarja ndërsa rrymën do ta prodhojë me gjenerator. Teknologjia e kësaj fabrike do të jetë e vitit 2024 dhe fabrika do të jetë e tipit të gjelbërt, pa oxhak për emetimin e gazrave. Fabrika do të jetë e tipit të mbyllur dhe gazrat që prodhohen do të shndërrohen në një lëng, të cilin investitori më pas do ta shesë. Banorët e fshatit Shajne, si dhe komuna jonë do të kenë benificione dhe shumë përfitime”, ka sqaruar mes tjerash Xheladini, duke sqaruar se ky lokacion është i vetmi, sepse kjo është e vetmja Zonë Industriale në këtë komunë, ku kryetari dhe Kuvendi kanë të drejtë ligjore që të lejojnë investime.
Pavarësisht këtyre sqarimeve, banorët kanë mbetur këmbëngulës që mos ta lejojnë ndërtimin e kësaj fabrike dhe, të dielën kanë zhvilluar një takim me krerët e Komunës, të cilët iu kanë shkuar në fshat për të bashkëbiseduar.
Mbledhja kishte për qëllim kundërshtimin e dhënies në shfrytëzim të tokës për ndërtimin e shkritores së xeheve, iniciativë kjo e planifikuar të shqyrtohej në mbledhjen e së martës të Kuvendit të Komunës. Krerët e Komunës, pasi i dëgjuan ankesat dhe arsyet e tyre se përse e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike, iu premtuan se kjo pikë do të largohet nga rendi i ditës, dhe nuk do të procedohet me tutje. Ky veprim është mirëpritur nga banorët, si një hap pozitiv drejt ruajtjes së tokës dhe mjedisit në fshatin e tyre.
Vlen të theksohet se kryetari Xheladini, paraprakisht ua kishte bërë me dije banorëve se, një vendim i mundshëm i Kuvendit, nuk nënkupton se kjo punë është akt i kryer, pasi Vendimi do t’i nënshtrohej ligjshmërisë nga ana e ministrive përkatëse të Qeverisë së Kosovës. “Pas këtij vendimi, investitori duhet të sigurojë, së paku edhe dhjetë leje të tjera, nga ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, ndërsa leja e fundit është ajo e Ministrisë së Mjedisit. Dhe, mos harroni se unë jam kryetar i juaji dhe ju jeni qytetarë të mi. Të kaluarën time politike dhe profesionale e dini, prandaj mund të jeni të sigurt se unë, si kryetar i juaji, do të respektojë vullnetin tuaj”, kishtë thënë kryetari Xheladini, duke iu drejtuar banorëve.