Dragash, 20 gusht 2014 – Pavarësisht se ka shumë thashetheme rreth fatit të personave që u lënduan në aksidentin e së shtunës, madje thashetheme po bëhen edhe në lidhje me identitetin e tyre, redaksia jonë ka mësuar se të lënduarit janë nga fshati Vërmicë dhe se po kurohen me sukses.
Sipas të dhënave të siguruara nga policia e Prizrenit, në lidhje me gjendjen e të lënduarve rëndë në aksidentin që ndodhi në afërsi të fshatit Brezne të Dragashit, gjendja e pacientëve është përmirësuar dhe se nuk është e vërtetë që ndonjëri të ketë pësuar. “Jo, nuk ka të vdekur, ata vazhdojnë të kurohen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazir Berisha.
Ndërkohë, redaksia jonë ka kontaktuar edhe me shefin e emergjencës së Prizrenit, Sadri Hulajn, nga i cili ka mësuar për trajtimin që iu është bërë këtyre pacientëve, si dhe për identitetin e tyre. Kjo, pasi askush nuk e dinte me saktësi se nga janë këta persona. “Në emergjencë janë sjellur tre persona të lënduar. Njëri është 46-vjeçar, një tjetër 21 dhe personi i tretë është 16-vjeçar. Që të gjithë nga fshati Vërmicë e Prizrenit. I pari është trajtuar në Qendren emergjente dhe më pas është transferuar ne QKUK, në Prishtinë. Tjetri është hospitalizuar ne Repartin e Kirurgjisë dhe personi i tretë, pasi i është dhënë ndihma e parë, është lëshuar në shtepi”, ka thënë Hulaj për Radio SHARRI.
Ndryshe, Hulaj ka shtuar se gjatë së njëjtës ditë, në emergjencën e Prizrenit janë sjellë gjithsej 106 pacientë, nga të cilët 15 kanë qenë të aksidentuar në komunikacion. “Ekipet tona kanë pasur mjaftë punë atë ditë, por që ia kanë dalë mbarë. Prandaj, ne i kemi falënderuar ata për punën e madhe që kanë bërë. Megjithatë, vlenë të theksohet se kjo gjë po ndodhë për çdo ditë. Madje, dita më e rëndë ka qenë më 12 gusht, kur ne kemi pranuar 141 pacientë për trajtim mjekësor, nga të cilët 28 kanë qenë të aksidentuar në trafik”, ka thënë Hulaj, duke i porositur drejtuesit e automjeteve, që të kenë kujdes të shtuar gjatë këtij fluksi, për ta mbrojtur veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.