Prishtinë, 20 qershor 2022 – Në një deklaratë të përbashkët të “Sunny Hill Festival”, Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, bëhet e ditur se festivali “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022, për të vazhduar në Tiranë, më 26, 27 dhe 28 gusht. “Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë, do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë. Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë, më 26, 27 dhe 28 gusht. Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit, ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror. Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët, në Prishtinë dhe në Tiranë”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.
Sunny Hill – Edhe në Prishtinë edhe në Tiranë!
POSTIMI I RADHËSArti brenda meje!