Rifillon Bashkëpunimi mes Komunës së Dragashit dhe Halil Kastratit

Rifillon Bashkëpunimi mes Komunës së Dragashit dhe Halil Kastratit

Dragash, 01 korrik 2022 – Në ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve, në Gjinoc të Suharekës, sot u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit mes Komunës së Dragashit dhe Shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, ku parashihet ndërtimi i pesë shtëpive për skamnorët në këtë komunë.
Lajmin e kanë bërë publik dy protagonistët nënshkrues, duke shprehur kënaqësi për këtë veprim, pasi ka disa vjet që ishte ndërprerë. “Komuna e Dragashit është pjesëmarrëse me 40 mijë euro nga pozicionet e Subvencioneve dhe Transfereve nga Zyra e Kryetarit, ndërsa Shoqata ka marrë përsipër që, gjatë periudhës 2022/2023, pesë familjeve skamnore t’iu ndërtojë shtëpitë me çelësa në dorë. Është rënë dakord që në fillim të hartohet lista e familjeve në nevojë dhe më pas të vazhdohet me projektet konkrete. Komisioni i përbashkët, pasi do t’i vizitojë të gjitha familjet e listës së gjerë, do të bëjë përzgjedhjen e familjeve nevojtare”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, duke iu lutur Zotit që të na udhëzojë dhe të zgjedhën ata që më së shumti kanë nevojë për këtë investim.
Nga ana tjetër, drejtuesi i shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka specifikuar se Komuna e Dragashit do të ndajë nga tetë mijë euro për secilën shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e investimit do jetë barrë e donatorëve. “Bashkë me kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin, sot nënshkruam marrëveshjen për ndërtimin e 5 shtëpive në këtë komunë, për familjet nevojtare. Komuna e Dragashit do të participojë me shumën prej 8 mijë euro për secilën shtëpi, ndërsa pjesën tjetër do ta mbulojnë donatorët, përmes shoqatës sonë”, ka njoftuar Kastrati, duke uruar që Zotin gjithmonë ta kemi para në këtë rrugëtim.
Kjo marrëveshje erdhi pas vizitës që Kastrati i bëri kryetarit Xheladini ditë më parë, të cilit ia kishte kujtuar se para pak vitesh Dragashi ndante nga pesë mijë euro për secilën shtëpi që ndërtohej në këtë komunë nga kjo shoqatë, por më pas ishte ndërpre ky bashkëpunim.