Silvana Begaj, fytyra e re e Shqipërisë tjetër!

Shkruan: Beqir BEQAJ


• Lektorja e universitetit suedez Silvana Begaj, ka kohë që po kërkon një Atdhe për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte, pothuajse krejt e panjohur për publikun, deri pak muaj më parë. Por, kur u lansuan disa shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, të cilat bënë xhiron kudo ku jetojnë shqiptarët, duke u publikuar në shumë portale, Silvanën po përkrahet gjithnjë e më shumë në masë. Kjo, sepse Apelet prej një vajze të re dhe të arsimuar, mu në kulmin e debateve politike të krizës së zgjedhjeve në Shqipëri, nuk po mund të kalohen pa u vënë re nga publiku shqiptar, aq më tepër kur artikujt fshikullues ndaj politikës 30-vjeçare në Shqipëri, po trumbetoheshin nga një “mendje e ftohtë”, nga një asistente dhe pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi.
Së fundmi, shqiptarët po pyesin se kush është Silvana Begaj, vajza që kërkon t’i ftohë “kokat e nxehta” të Tiranës dhe jo vetëm. Publiku shqiptar po interesohet gjithnjë e më shumë të dijë se si arriti një vajzë e thjeshtë shqiptare që të ngjitet për pak kohë në shkallët e karrierës profesionale, në një vend të huaj, dhe se çfarë parasheh projekti “Shqipëria Tjetër”, një nismë kjo që Silvana po planifikon ta zbatojë në politikën shqiptare!
Silvanën, në këto ditë të fillimvitit të ri akademik në Suedi, e gjen të rrethuar nga studentë të shumtë të huaj në zyrën e saj, të cilët kanë zgjedhur universitetin ku ajo është e punësuar. Që nga viti 2014, Silvana është asistente pedagogjike në degën e Menaxhimit, ndërkohë që koordinon studentët ndërkombëtarë që diplomohen në këtë universitet mjaft të njohur të Suedisë.
Një aplikim online për këtë vend pune, ka mjaftuar për Silvanën dhe ajo e ka kuptuar se ëndrrat mund të bëhen realitet. Në Shqipëri ka pasur disa eksperienca të ndryshme, të cilat i shërbyen asaj si trampolinë për integrimin në Suedi. Për shumëkënd karriera e saj mund të quhet e suksesshme por për Silvanën, kjo është krejt normale në një vend ku zotëron konkurrenca e drejtë dhe ku zbatohet ligji.
Ajo thotë me modesti se është një vajzë krejt e zakonshme, që ka guxuar të ëndërrojë dhe të përpiqet deri në fund për të arritur synimet e veta. Mësimdhënia apo kërkimi shkencor me të cilin merret shumë kohët e fundit, nuk është i vetmi angazhim për Silvanën, e cila e kishte kuptuar se Suedia është vendi i mundësive dhe ajo thjeshtë e ka shfrytëzuar këtë fakt. Prej një viti ajo ka themeluar një kompani private që kryen restaurimin e godinave të vjetra dhe atyre historike në disa qytete të Suedisë. Por, angazhimi më i madh për të, duket të jetë ai human. Silvana Begaj tregon se, prej 5 vitesh është “peacemaker”, pjesëtare e “Dialogut për Paqen”, një OJQ kjo ndërkombëtare me qendër në Norvegji, e cila zhvillon dialog dhe ndërmjetëson me palët e përfshira në konflikte, në zona të ndryshme të botës, si Indi, Pakistan, Bangladesh, etj.
Projekti i radhës që do të finalizohet së shpejti, sipas asaj që thotë Silvana, është krijimi i një OJQ-je ndërkombëtare për integrimin e gruas, në shkallë botërore. Si një kërkuese shkencore, ajo, bashkë me një grup specialistësh nga disa vende, do të bëjë hulumtime për të gjetur se çfarë politikash duhen ndjekur për integrimin sa më të plotë të gruas, kryesisht në vendet me probleme në këtë drejtim, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
E çuditshme në fakt, por ajo pohon se i del koha edhe për politikë. Ajo është e angazhuar me “Centerpariet”, një parti kjo qeverisëse në Suedi, ku Silvana ka ambicie për të konkurruar në nivele lokale. Megjithëse e larguar nga Shqipëria, Silvana nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin, nga ku ndjek rregullisht se çfarë po ndodh atje.
SHQIPËRIA TJETËR, është lëvizja që ajo synon të shpalosë në momentin e duhur, një projekt për të ringjallur shpresat dhe ëndrrat e rinisë, ëndrrat që aktualisht janë të vrara nga politika e afro 30 vjetëve në Shqipëri. Sipas saj, ky është një projekt që ka për qëllim të grumbullojë ekspertizën më të mirë shqiptare dhe të huaj në vendet evropiane dhe, në bashkëpunim me organizata dhe aktorë të rëndësishëm politikë dhe të shoqërisë civile në këto vende, të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë.
Portreti i Silvana Begajt, një vajzë që nga katedrat e Tiranës përfundoi në katedrat e Suedisë, nuk mund të jetë i kompletuar pa dy dashuritë e saj; letërsinë, nga e cila mësoi se si të krijojë, si dhe familjen, nga e cila merr inspirimin!
Silvana Begaj, së fundmi është bërë bashkëpunëtore e jona, ku me opinionet e saj ka arritur që, siç thotë vetë ajo, ta zgjojë nga gjumi edhe audiencën tonë. Thotë se Radio SHARRI, për të është njëri nga mediumet ku ajo ka gjetur profesionalizëm dhe hapësirë për promovimin e një shoqërie evropiane, me kombësi shqiptare.