Shkuam deri në hënë por nuk mbërritëm në zemër

Shkuam deri në hënë por nuk mbërritëm në zemër

Nga: Helena HALILAJ


• A e nisim mëngjesin duke falenderuar Zotin për të gjitha mirësitë që na ka dhënë. A e duam natyrën që Zoti me madhështinë e tij e bëri enkas për ne. A jemi bërë pak fodullë e shesim më shumë se bëjmë, se rëndojmë më pak se peshohemi në shoqëri. A mos ndoshta me krijimet tona të vogla skemi bërë asgjë çfarë Zoti ka bërë me ne. Bëhen vila, pallate, hekurudha, shkohet deri në hënë e nuk mbërrihet deri në zemër. A mos ndoshta ky virus ishte sinjali i parë i Zotit për të treguar fuqinë e tij, se ai na ndjek, se ai nuk bën pushime. Mos ndoshta na mbylli brenda që të afrohemi, të flasim, të duhemi. Se rëndësia e jetës nuk ka një çmim. Se prindërit duhen mbajtur afër, duhen dashur, se me fëmijët duhet të flasim ne dhe jo telefonat dhe interneti. Se duhet të kalojmë kohë duke gatuar, duke treguar histori jete dhe duke dëgjuar shqetësimet që kemi. Mos ndoshta ne e dërrmuam dhe natyrën, i sharrojmë lisat, i grryejmë brendinë tokës, i vrasim kafshët, i bëjmë të pisët ujërat. Mos vallë kjo është kambana e thirrjes prej atje lart se ne harruam atdheun, nënën, motrën e vëllaun, se u bëmë të huaj edhe kur na ndan një mur shtëpie, se jemi bërë kapitalistë deri në marrëdhënie të ngushta, brenda gjakut. E nganjëherë bëhemi dhe kodosha kur marrim pushtet, kur bëhemi zengjinë të rinjë, harrojmë rrugicat plot gurë dhe fluturojmë si zotër të jetës së punonjësve të po të njejtit Zot. Nganjeherë mendoj se natyrës i jemi borxh përgjithmonë, për ujin, malin, bimët, frutat, kafshet, zogjtë, lulet, sa shumë bëri Zoti për ne, sa borxhe të shlyera me mosmirënjohje dhe shkatërrim ia kthyem. Natyra është prona e përbashkët të cilën e shfrytëzojmë si të falur, të humbur. Mos ndoshta kjo kohë ishte koha që Zoti na e dha për tu penduar, pajtuar dhe falur. Na dha gjithkujt udhëtimet drejt dashurisë, jo drejt tradhëtisë dhe vuajtjes. Mbase kjo kohë u dha dhuratë për të hapur shpirtin, ato portat të cilat i hapim vetëm kur vujamë, kur humbim njerëzit që duam, kur sëmuremi, kur vdekja na vjen në shtëpi, kur ndahemi nga gratë, nga të dashurit, kur jemi në rrezik, kur shkojmë në varreza, kur na lëshojnë të gjitha duart e afërta që kapeshim për të shpresuar. Mbase kjo kohë u dha kuptim çifteve të cilët dhe u harruan nëpër udhë të shkurtëra ndonjëherë. Mbase kjo frika e madhe e cila rri në jetën e secilit nga ne është koha për të mos harruar nesër. Kjo kohë është dëshmi e gjallë e zemrave të cilat i prenë damarët e humanizmit dhe u bënë robotike. Zoti na dha mundësinë të ndërtojmë fabrika por jo të mbyllim dyqanet e dashurisë, na dha guximin për të krijuar por jo të zhvlerësojmë ato çfarë na ndërtoj Ai, na dha guximin për tu ngritur dhe nga krevati i fundit por jo ti japim fund jetës së tjetrit, na dha mendjen për tu përmisuar por jo për të ndërtuar armiq artificialë, na dha fuqinë të shndrisim me pafund drita, edhe qytetet, por jo të shuajmë dritat e zemrave tona.

(Autorja është analiste e problemeve sociale në media, si dhe analiste në diskutime dhe konferenca të ndryshme. Ka studiuar letërsinë dhe është autore e gjashtë librave, për çka ka fituar shumë çmime dhe vlerësime. Aktualisht punon si lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)